SHPËRNDAJE

Duke intensifikuar fushatën e joshjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, komisioneri për Zgjerim Johanes Hahn, deklaroi dje se marrëveshja përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit do të arrihet në mesin e vitit të ardhshëm dhe për të nuk do të kursehet asnjë opsion. “Ky duhet të bëhet qëllimi ynë, që të kemi një marrëveshje deri në mesin e vitit tjetër, po ashtu më pas do të jetë një komision i ri dhe nuk do të jetë mirë nëse negociatat zgjasin shumë gjatë”, tha Hahn duke sinjalizuar arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve para zgjedhje të fund-majit në Parlamentin Evropian. Ai paralajmëroi Kosovën dhe Serbinë për kufizimet dhe shqetësimet ndërkombëtare mbi zgjidhjet që duhet të japin gjatë procesit të dialogut. “Nuk do të thotë që çdo zgjidhje bilaterale duhet t’i kushtojë tjetrës. Krejt e kundërta, ajo duhet të kontribuojë edhe më tej në qëllimin e përgjithshëm të stabilitetit rajonal”, tha ai në intervistën për mediat maqedonase. Komisioneri Hahn përmendi gjithashtu mundësinë e këmbimit të territoreve, të cilën për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes, tha se në kuadër të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës, “shkëmbimet territoriale” ose “korrigjimi i kufirit”nuk është mundësi e përjashtuar, por ajo do të përfshihet si pjesë e fundit e enigmës.

Koçijançiç: Së pari kriteret, pastaj anëtarësimi i Serbisë në BE

Në lidhje me çmimin e premtuar të marrëveshjes me Kosovën dhe anëtarësimin e Serbisë në BE, zëdhënësja  Maja Kocijançiç tha se para pranimit Serbia duhet t’i plotësojë kriteret në mënyrë të qartë dhe të vazhdojë punën në marrëveshjen mbi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. “Serbia është ajo e cila duhet të bëjë atë çfarë është e nevojshme për përparim në procesin e zgjerimit. Gjithashtu, është përcaktuar qartë se duhet vazhduar puna në marrëveshjen në mes të Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Kjo punë këtu është në vazhdim dhe ne e kemi qenë të qartë se cilat janë pritjet tona”, ka përfunduar Kocijançiç në reagim të deklaratës së një dite më parë nga presidenti serb Vuçiç, i cili kërkoi garanci nga BE në rast të mbylljes së akordit me Prishtinën.

Vuçiç kërkon garanci për anëtarësim

“Nëse arrijmë ndonjëherë një marrëveshje me Prishtinën Serbia duhet të merr garanci të qarta se do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2025”, kishte thënë Vuçiç në lidhje me finalizimin e dialogut, edhe pse shtoi se mund të zgjasë deri në 10 vjet për të arritur një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës për shkak të dallimeve të shumta në qëndrimet e tyre, përkundër asaj që komisionari Hahn nguli këmbë dje. “Ndonjëherë buzëqesh kur dëgjoj se si njerëzit i thjeshtësojnë gjërat dhe thonë se mund të biem dakord për marrëveshje- unë do t’ju jap tre fshatra dhe do të marr gjashtë fshatra. Nëse do të kishim ndonjëherë një marrëveshje (me Prishtinën) do të ishte një marrëveshje e përgjithshme që do të përfshinte jo vetëm marrëdhëniet midis nesh dhe shqiptarëve në Kosovë, por gjithashtu do të duhej të përfshihej një rezolutë për rrugëtimin tonë drejt BE-së dhe përparimin e mëtejshëm ekonomik”, tha Vuçiç. Shtetet e Bashkuara dhe disa zyrtarë të BE kanë thënë se nuk do të kundërshtojnë një marrëveshje nëse arrihet midis dy liderëve lokalë për shkëmbimin e territoreve, por Gjermania ka qenë e prerë kundër idesë që mund të ringjallte armiqësitë e vjetra të luftërave etnike në vitet 1990.