SHPËRNDAJE

Liderët e Bashkimit Evropian e kanë nominuar Ministrin e Jashtëm të Spanjës, Josep Borrell, si diplomatin më të lartë të bllokut.

Spanjolli pritet ta zëvendësojë Federica Mogherinin në postin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme. Kjo e fundit është figurë kyçe në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili do të bie në kompetencat e pasuesit të diplomates italiane, në këtë rast Josep Borrell – nëse zgjedhet në këtë post.

Borrell, i cili aktualisht udhëheq me politikën e jashtme të Spanjës, vend i cili nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, në deklarime të ndryshme ka theksuar se çështja e Katalonisë në Spanjë dhe Kosovës janë të ndryshme – ndonëse jo rrallë herë nga akterë të ndryshëm në Spanjë dhe në botë, është tërhequr paralele midis këtyre dy vendeve, kërkesës së katalunasve për pavarësi dhe pavarësimit të Kosovës, respektivisht.

Borrell, vetë një katalunas, e ka kundërshtuar pavarësimin e regjionit të Katatonisë nga Spanja, me arsyetimin se nuk është se të gjithë katalunasit e duan këtë dhe se mund të ketë “efekt domino”.  Ai pati sugjeruar që Madrid të ofrojë një ekuivalencë fiskale për katalunasit në mënyrë që ta mbajë Spanjën të bashkuar.

Por, për të Katalonia dhe Kosova nuk janë e njëjta gjë.

“Ka gjëra që kanë ndodhur këtu që nuk duhen të kenë ndodhur. Ne jemi duke e  lënduar njëri-tjetrin. Kemi të drejtën për qetësi dhe për të shijuar progresin e Spanjës demokratike nga e cila mund të ndihemi krenarë. Katalonia nuk është një koloni, nuk është një shtet i zënë, nuk është një shtet si Kosova. Kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë të punojmë në përputhje me ligjin”, pati thënë Borell në vitin 2018 në një adresim publik në Barcelonë.

Deklarata të ngjashme Borrell ka dhënë edhe gjatë vizitës së tij në Beograd në vitin 2019.

Ai ka mohuar çdo paralele midis Kosovës dhe regjionit të Katalonisë së Spanjës, duke thënë në konferencën për shtyp me Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, se “të dyja situatat nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën“.

“Krahasime të tilla … joshin vetëm avokuesit e pavarësisë së Katalonjës“ ishte shprehur Borrell.

Megjithatë, Borrell ka theksuar kundërshtimin e Spanjës ndaj pavarësisë, sipas tij, të shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës në 2008.

Borell në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq (gjatë vizitës së tij në Beograd në mars të këtij viti) ka thënë se Spanja është kundër pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, “sepse shkëputja është në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare”, ishte bërë e ditur në njoftimin zyrtar.

Ai pati deklaruar se Spanja mbështet kërkimin për një zgjidhje kompromisi brenda kornizës së dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.