SHPËRNDAJE

Kryetari i komunës së Bujanocit Shaip Kamberi lidhur me bllokadën financiare me të cilën llogaria e Komunës së Bujanocit po përballet për disa ditë me radhë në shumë mbi 7 milion dinarë, fajin ia ka hedhur disa bashkësive lokale dhe shkollave.

Në deklaratën dhënë portalit lokal në gjuhën serbe bujanovacke, Kamberi ka thënë se “Shkollat “Sezai Surroi” dhe “Sveti Sava” kanë bërë shpenzime të panevojshme gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, megjithëse e dinë që mësim nuk do të ketë deri në shtator, si dhe disa bashkësi lokale, por ka edhe borxhe nga periudha para gjendjes së jashtëzakonshme”.

Nga ana tjetër sipas dokumentit të Ministrisë së Financave të publikuar sot, i cili paraqet detyrimet e gjitha Vetqeverisjeve Lokale dhe shkollave, sa i përket Komunës së Bujanocit, Administrata Komunale ka detyrimet më të mëdha në këtë dokument, rreth 4 milion dinarë, ndërsa sa i përket shkollave “Sveti Sava” tejkalon shifrën 1 milion dinarë krahas “Sezai Surroit” që ka 360 mijë dinarë.

“Të ardhurat tona themelore janë 33 milion dinarë në muaj në bazë të transfereve të rregullta financiare, dhe 11 milion të tjera nga tatimi mbi të ardhurat, kështu që ne aktualisht nga Ministria kërkojmë 44 milion dinarë.

Megjithatë nuk mund t’i marrim ato para për shkak të borxhit prej 6 milion dinarë”, ka thënë Kamberi.

Megjithatë borxhi të cilin Kmaberi e konsideron 6 milion dinarë, në dokumentet e paraqitura sot (09.04.2020) është mbi 7 milion dinarë.

Si do që të jetë kjo është arsyeja që punëtorët e Administratës, ndërmarrjeve publike dhe institucionet tjera akoma nuk i kanë marrë pagat për muajin mars.

Kryetari i Komunës gjithashtu ka theksuar se, “Nga Ministria presim përgjigje në lutjen tonë, që të na paguaj një pjesë të parave në mënyrë që të shlyejmë borxhet tona dhe kështu të plotësojmë kushtin për pagesën e tërë kërkesës.

Për momentin nuk ka paga dhe as para për shpenzimet e rrugës për punëtorët, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i komunës.

Ne po punojmë që Trupi koordinues të ndërmjetësoi te Ministria e Financave në mënyrë që të na aprovojnë transferin prej 10 milion dinarë, të ardhura nga taksat që i përkasin Komunës”.

Presheva.com jozyrtarisht ka mësuar nga burimet e besueshme se, Trupi koordinues edhe kohë më parë kishte ndërmjetësuar në Ministrinë e Financave për një situatë të ngjajshme në të cilën është gjenduar Komuna e Bujanocit./presheva.com/