SHPËRNDAJE

Shaip Kamberi, numri një i listës së përbashkët të shqiptarëve të Luginës për zgjedhjet e përgjithshme në Serbi, ka thënë se me bashkimin e të gjitha partive shqiptare në zgjedhjet e Serbisë, dy mandate janë të arritshme, porse me angazhim të masës mund të fitohen tri.

Ai ka thënë se duke u bazuar në statistika, mundësia është t’i fitojnë tre deputetë.

“Ne kemi nisur një proces politik me Beogradin që nga 2001 që nga përfundimi i luftës së armatosur në Luginë të Preshevës, atëherë kur Beogradi kishte miratuar një sërë masash për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve. Por të cilat janë filluar dhe kanë mbetur në gjysmë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se shqiptarët janë minimalisht të përfaqësuar. Kamberi ka shtuar se do të angazhohen në tema të ndryshme e sidomos në arsim, duke shtuar se për vite me radhë ata janë lënë anash.

Ai ka folur edhe për procesin e pasivizimit, për të cilin thotë se Serbia po e përdorë për ndërrimin e strukturës së popullatës, sidomos në Medvegjë.

“Në Medvegjë ky proces ka ndikuar në zvogëlimin e votuesve shqiptar, u në zgjedhjet e fundit nga tetë përqafues në kuvendin komunal kanë rënë në tre. Pasivizimi nënkupton shlyerjen nga evidenca e vendbanimit të atyre qytetarëve që iu kanë skaduar dokumentet dhe nuk kanë vendbanim valid. Në bazë të ligjit, Serbia shfrytëzon këtë mundësi edhe pse nuk ka të drejtë. Në Preshevë dhe Bujanoc procesi i pasivizimit është më i ulët. Është një proces i rrezikshëm, që Serbia artificialisht po mundohet ta ndërrojë strukturën e popullatës në Medvegjë. Ne po mundohemi që të hiqet ky proces”, ka thënë ai.

Duke folur për gjendjen me koronavirus, ai ka thënë se në Preshevë nuk është evidentuar asnjë rast, në Bujanoc kanë qenë tetë raste, për të cilat thotë se nuk anë qenë shqiptarë.