SHPËRNDAJE

Pas masave të Qeverisë për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Akusheri në Shkup, ju bënë apel pacienteve që nëse kanë planifikuar kontroll përmes “termini im” të mos paraqiten, përveç në raste urgjente.

Nga Klinika thonë se kjo bëhet me qëllim që të ulet numri i pacientëve dhe të reduktohet rrëmuja në hapësirat klinike.

Ata thonë se ky apel më shumë vlen për pacientet mbi moshën 65-vjeçare, të cilat janë më të rrezikuara nga infektimi me coronavirus.

“Për të përcaktuar urgjencën e ekzaminimit të pacienteve, Instituti për Shëndet Publik dhe Klinika do të dërgojnë një letër tek gjinekologët amë, të cilët do të duhet të bëjnë një përzgjedhje të rreptë të urgjencës, sipas gjendjes së pacientëve. Shërbimet e Institutit dhe Klinikës përmes telefonit do t’i informojnë pacientet për anulimet e termineve, të cilat nuk nënkuptojnë urgjencë për kontroll. Ne u bëjmë thirrje pacientëve që të respektojnë plotësisht masat parandaluese të referuara në Ministrinë e Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e Klinikës.