SHPËRNDAJE

Komandanti i KFOR, Salvatore Cuoci, ka thënë se ishim të gatshëm për të ndërhyrë në protestën që e organizuan dje banorët e Rajonit të Drenicës për të mos i lejuar vizitën në Banjë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka thënë në një intervistë për mediumin serb TV Prva, se Vuçiq bëri veprimin e duhur që vendosi që të tërhiqej.

“KFOR ishte në dispozicion për të ndërhyrë, por dikush prej institucioneve të Kosovës do të duhej të na e kërkonte këtë”, ka thënë Cuoci.

“Kur Policia e Kosovës nuk mund të ndërhyjë në ndonjë situatë, është EULEX, pastaj ne”.

“Nëse ne do të ndërhynim, situata do të ishte ndryshe dhe ndoshta vizita do të kishte përfundim tjetër. Por zgjidhja paqësore ishte vendim i mençur [i Vuçiq]”.

Cuoci ka theksuar se Policia e Kosovës është përballur me protestuesit dhe se askush nuk ka pësuar lëndime.

Rreth situatës së mundshme nëse KFOR do të reagonte, po që se Kosovën do ta vizitonte ndonjë prej presidentëve të vendeve tjera, ai ka thënë: “Sidoqoftë ai do të ishte president dhe ne do ta bënim të njëjtën”.