SHPËRNDAJE

Komisioni parlamentarë për Arsim, Shkencë, teknologji, kulturë, rini, sport, inovacion dhe ndërmarrësi dhe komisioni për Administratë publike dhe Qeverisje lokale dhe media sot dhe nesër do të qëndrojnë në një vizitë zyrtare në komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Delegacioni do të jetë i përbërë nga Nait Hasani, Ismail Kurteshi, Arbërie Nagavci, Teuta Haxhiu, Valentina Bunjaku, Arban Abrashi dhe Valon Ramadani.

Vizitën e tyre e kanë nisur sot në komunën e Medvegjës ku kanë vizituar shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë dhe më pas kanë qëndruar në Kuvendin Komunal të Medvegjës ku janë takuar me nënkryetarin e komunës.

Temë e diskutimit ka qenë organizimi i arsimit fillorë si dhe organizimi dhe funksionimi i shqiptarëve në Administratën komunale të Medvegjës. Pas takimeve në Medvegjë delegacioni ka udhëtuar për në komunën e Bujanocit nëpërmjet Leskocit dhe Vranjës. Gjatë orëve të pasditës në Bujanoc kanë zhvilluar takim në Këshillin Kombëtarë Shqiptarë kurse në ora 17.00 takohen me kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberin.

Sipas agjendës së paraparë në takim me Kamberin do të diskutohet lidhur me organzimin dhe funksionimin e shqiptarëve në administratën komunale. Delegacioni parlamentarë i Republikës së Kosovës gjatë ditës së nesërme vizitën do ta fillojë në Shkollën e Mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, ndërsa para nisjes për Preshevë do ta vizitojnë edhe një shkollë fillore në komunën e Bujanocit.

Në ora 12.00 është paraparë takim me kryetarin e komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin lidhur me organizimin dhe funksionimin e shqiptarëve në administratën komunale, si dhe në fund të agjendës do ta vizitojnë një shkollë të mesme në komunën e Preshevës. Vlen të theksohet se në agjendë gjatë kthimit nga Medvegja për në Bujanoc është paraparë një ndalesë për kafe në qytetin e Vranjës./presheva.com/