SHPËRNDAJE

Komuna e Bujanocit ka ditë që është në detyrime financiare të pashlyera të cilat sipas të dhënave në regjistrin e Ministrisë së Financave mbi shlyerjen e detyrimeve financiare, raport ky që publikohet çdo ditë, në dokumentin (RINO-Registar izmirenja novčanih obaveza) është në rritje e sipër.

Këto detyrime sot më 06.04.2020 kanë arritur vlerën 6.882.755 dinarë (58.328 euro), e sipas punëonjësve të Administratës të cilët akoma nuk i kanë marrë pagat e muajit mars, kjo mund të jetë edhe arsyeja përse po vonohen pagat.

Sali Salihi, punonjës në Administratën Komunale të Bujanocit, njëherit anëtarë I kryesisë së PD-së është shprehur se, “në kohën kur të gjitha vendet e botës kanë marrë masat e nevojshme për tejkalimin e pandemisë Covid-19, komuna e Bujanocit duhet të marrë masa shtesë për ta tejkaluar edhe virusin financiar që po e shoqëron këto 4 vitet e fundit”

Postimi i plotë:

“Në kohën kur të gjitha vendet e botës kanë marrë masat e nevojshme për tejkalimin e pandemisë Covid-19, komuna e Bujanocit duhet të marrë masa shtesë për ta tejkaluar edhe virusin financiar që po e shoqëron këto 4 vitet e fundit. E gjitha kjo si papërgjegjshmëri e të parit të komunës dhe neglizhencës së tij për parandalimin e kësaj gjendje.

Borxhet prej afër 7 milionë dinarëve kanë ngulfatur funksionimin normal të komunës, dhe si rrjedhojë të gjitha konkurset e shpallura muaj më parë janë në prag të dështimit. Përkundër faktit që buxheti ishte i zbrazët dhe nuk kishin aftësi financiare për t’i kryer pagesat, u nxituan që në kohë fushate zgjedhore të shpallnin konkurse të njëpasnjëshme sa për të fituar ndonjë votë aty këtu. Dhe, me t’u shfaqur virusi Corona iu prishen edhe planet, zgjedhjet u shtyen, e si pasojë;

– studentëve ende nuk iu kanë ndarë bursat, edhepse iu premtuan që të njejtat do t’i merrnin në Mars.

– kontejnerat u deryruan t’i shpërndajnë më herët, edhepse e kishin paraparë që atë ta bënin pak para mbajtjes së zgjedhjeve

– premtimet për subvencionimin e bujqëve u harruan

– aftësimi profesional u ndërpre, jo përshkak Coronavirusit siç kanë dëshirë të thonë, por përkundrazi se nuk kanë me çka t’i paguajnë. Në përjashtim të institucioneve arsimore ku me të drejtë është anuluar aftësimi profesional përshkak se shkollat kanë ndërprerë mësimin, në të gjitha institucionet tjera ky program ka mundur të implementohet pa problem. Bile në Shtëpinë e Shëndetit më së shumti, kur sot më shumë se kurrë duhet staf mjekësor.

Mbase veprat vlerësohen sipas qëllimit, lirisht mund të them se qëllimi i tyre ishte që të lënë sa më shumë borxhe për pushtetin e ardhshëm, që t’ia pamundësojë qeverisjen e mirë dhe ta amnistojnë politikën e tyre dështuese, me idenë se edhe të tjerët po përballen me probleme të njejta.

Politika “tallava” sot për nesër e pushtetit në ikje të Bujanocit ka lënë pa rroga qindra punëtorë të sektorit publik, borxhe ndaj shkollave e ndaj institucioneve tjera publike. Të gjitha këto po e vështirësojnë jetën e qytetarëve në këtë kohë pandemie, në përjashtim të dhjetëra pushtetarëve që kanë të hyra “tjera”, e nuk varen nga rrogat. Kurse, në anën tjetër luan rolin e viktimës se nuk iu ishte ofruar asnjë përkudesje nga Kosova e Shqipëria. Por, a është kujdesur ky pushtet për qytetarët e vet?! Nëse vetkënaqen me 500.000 dinarët e ndarë për familjet në nevojë, atëherë me keqardhje duhet t’ju them që ta ngrisin nivelin. Shuma të tilla kanë dhënë shumë individë që asnjëherë nuk janë promovuar në rrjete sociale.

Arsyetimi eventual se jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe dhënia e rrogave nuk është prioritare do të ishte qesharak e shumë irritues. Edhe komunat fqinje, si Presheva e Vranja janë në gjendje të jashtëzakonshme, por me probleme të tilla nuk kam dëgjuar se po ballafaqohen.

Por, një gjë është e sigurt. Fill pas zhdukjes së Coronavirusit, do të zhduket edhe ky “virusi” 4 vjeçar i komunës së Bujanocit” ka shkruar Salihi.

Sipas njohësve të çështjeve financiare, detyrimi RINO nënkupton se llogaria bankare e Komunës së Bujanocit mund të jetë në vështirësi të mëdha financiare, ngase kjo gjendje bllokon komplet transferet financiare ndaj komunës së Bujanocit, përveç atyre vetanake./presheva.com/