SHPËRNDAJE

ProdhimeVendore

Bujqësia është sektor që mund të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë, duke ulur bilancin tregtar, duke ulur nivelin e papunësisë , dhe njëkohësisht duke mbrojtur ambientin ku jetojmë. Për të qenë më i kuptueshëm bujqësia ndikon ne mirëqenien e çdo qytetari që jeton në Kosovë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin shëndetësor .

Kosova ka kushte të mira për zhvillimin e bujqësisë e sidomos kushte klimatike dhe fuqi punëtore , por njëkohësisht ka edhe disa dobësi, siç janë sipërfaqja e vogël e tokës për kokë banori , toka e ndarë në shumë parcela, keq menaxhimi i fermave etj.
Më e rëndësishmja nga të gjitha këto është se bujqësia është nga të paktët sektorë, ku i gjithë cikli nga prodhuesi deri te konsumatori mund të përmbyllet në Kosovë, pa pasur nevojë për ndërhyrje nga akterët jashtë Kosovës, si shembull mund ta marrim qumështin, që prodhohet nga fermerët kosovarë , ai përpunohet nga qumështoret në Kosovë, shpërndahet nga tregtarët kosovarë dhe konsumohet nga kosovarët. Pra, i gjithë cikli apo zinxhiri mbyllet në Kosovë . Në rast se hallka e fundit e këtij zinxhiri nuk funksionon, ( konsumatori nuk konsumon produktet vendore bujqësore) atëherë i gjithë cikli nuk do të funksionojë si duhet. Pra do të dëmtohet prodhuesi që e mban familjen e tij nga të hyrat bujqësore, do të dëmtohet përpunuesi dhe punëtorët që janë të angazhuar në atë kompani prodhuese dhe në fund të fundit do të dëmtohet edhe taksapaguesi kosovar, i cili përmes taksave të tij ka ndihmuar fermerin dhe përpunuesin përmes grandeve, sepse grandet nuk janë gjë tjetër veçse mjetet e taksapaguesve kosovarë, që menaxhohen nga institucionet shtetërore për të ndihmuar një sektor të caktuar.

Për të funksionuar hallka e fundit, që është më e rëndësishmja nga të gjithë hallkat tjera duhet që konsumatori kosovar të bëhet i vetëdijshëm, se me blerjen e produkteve bujqësore vendore do të ndikojë në zhvillimin e gjithmbarshëm të ekonomisë kosovare dhe njëkohësisht do të ndikojë drejtpërdrejt në mirëqenien e tij.

Në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, konsumatorët janë të vetëdijshëm se konsumi i prodhimeve vendore ndikon në mirëqenien e tyre sa që në disa raste çmimi i prodhimeve vendore është më i shtrenjtë se sa prodhimet e importit, por prapëseprapë blihen nga konsumatorët e tyre sepse konsumatori është bindur se me blerjen e prodhimeve vendore ndikon në forcimin e ekonomisë së shtetit, ku jeton.

Nga ana tjetër konsumatori kosovar duhet të bindet se produktet që i blen janë të sigurta , të shëndetshme dhe të shijshme . Në këtë aspekt duhet një bashkëpunim në mes prodhuesve , përpunuesve dhe tregtarëve. Prodhuesit duhet të prodhojnë produkte bujqësore të cilësisë së lartë dhe të mendojnë për një periudhë afatgjatë, duke ofruar gjithmonë produkte të cilësisë së njëjtë . Përpunuesi duhet ta bindë konsumatorin që është serioz ,se ka pastërti në nivel që kërkohet , respekton rregullat e mosdëmtimit të cilësisë së produktit , dhe nuk përdor preparate, që janë të dëmshme për konsumatorin. Nga ana tjetër tregtari, gjatë shitjes, duhet t’i japë përparësi produkteve bujqësore e jo siç ndodh rendomë, që konsumatori të kërkojë produktet vendore bujqësore, sepse nuk janë të ekspozuar .

Një metodë shume efektive, për të bindur konsumatorin, është aranzhimi i vizitave të konsumatorëve ose te grupeve të njerëzve me ndikim te përpunuesit dhe prodhuesit e produkteve bujqësore për të parë nga afër mënyrat e prodhimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore. Unë kam vizituar shumë prodhues dhe përpunues, ku kam mbetur tepër i kënaqur nga pastërtia, rregullat dhe investimet që i kanë bërë. Kështu, jam bindur plotësisht, që ka shumë produkte vendore bujqësore që ne duhet t’i konsumojmë me kënaqësi.

Është koha që të gjithë të bëhemi të vetëdijshëm duke filluar nga prodhuesit dhe përpunuesit që të ofrojnë produkte të cilësisë së lartë, tregtarët të ekspozojnë produktet vendore bujqësore, e sidomos konsumatorët të fillojnë të kërkojmë dhe konsumojmë produktet vendore bujqësore sepse e kemi për detyre të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien e të gjithëve. /Koha/

BurimIbishi
Shkruan: Burim Ibishi