SHPËRNDAJE

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, ka paralajmëruar se pas bisedave me homologun e tij nga Kosova Glauk Konjufca si dhe atë nga Kroacia Goran Grlić-Radman, kanë vendosur të themelojnë nismën trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.

Ai tutje ka sqaruar se synim i kësaj nisme nga e cila pritet të ketë edhe takime të rregullta të ministrave të jashtëm, është që të krijohen platforma të përbashkata politike dhe për të zhvilluar projekte konkrete sipas interesave të përbashkëta.

Ky është postimi i plotë i Cakaj në facebook:

Pas bisedave me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Goran Grlić-Radman, kemi vendosur përfundimisht themelimin e nismës trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Republikës së Kosovës 🇦🇱🇭🇷🇽🇰.

Synimi i kësaj nisme është mbajtja e mbledhjeve të rregullta në nivel të ministrave të jashtëm për të krijuar platforma të përbashkëta politike dhe zhvilluar projekte konkrete sipas interesave të përbashkëta.

Takimi i parë do të mbahet në Shqipëri brenda këtij viti dhe pastaj takimet e tjera do të mbahen çdo vit nëpër qytete të ndryshme të vendeve tona.

Kjo nismë do t’i shërbejë thellimit të marrëdhënieve mes vendeve tona, por edhe zbatimit të objektivave të përbashkëta strategjike veçanërisht në fushën e politikës së jashtme🤝!