SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha dje se qeveria ka marrë vendim që t’i vendoset një taksë shtesë prej 10% produkteve që vijnë nga Serbia, dhe se tash e tutje në Kosovë do të merren vendime karshi sjelljeve të Serbisë pa u diskutuar në Bruksel. Vendimi hasi në kundërshtim të ashpër nga Beogradi si dhe solli kërkesa për sqarime nga Bashkimi Evropian. “Po vendosim tarifa tregtare pasi Serbia ka qasje armiqësore. Ndaj vendeve që kanë sjellje armiqësore sanksionohet dhe ne kështu do të veprojmë. Ne jemi për dialog, por jemi gjithashtu vetvetja. Ata fitojnë qindra milionë euro nga shitjet me ne dhe ato po i përdorin kundër nesh”, ka përfunduar Haradinaj. Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, i propozoi formalisht kabinetit qeveritar vendosjen e masës prej 10 % për disa produkte që prodhohen në këto dy shtete, duke përjashtuar produktet e markave ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Masa vendoset për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e frutave. Zëvendës Kryeministri Enver Hoxhaj, foli edhe për aspektin politik të kësaj mase. “Serbia po shpërndan shuma të mëdha parash që ta dëmtojë shtetin e Kosovës dhe një pjesë e madhe e këtyre parave vijnë nga tregtia me shtetin tonë. Besoj që nga sot edhe valixhja e Ivica Daçiç do të jetë më e vogël dhe më e hollë për të punuar kundër Kosovës”, tha Hoxhaj, duke iu referuar procesit të tërheqjes së njohjeve.

BE i kërkon sqarime

Pak pas vendimit të qeverisë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç tha në një njoftim për shtyp se BE është duke kërkuar sqarime urgjente lidhur me vendimin. “Këto masa janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës sipas marrëveshjes tregtare CEFTA. Bashkimi Evropian pret që Kosova, që aktualisht është kryesuese e CEFTA-s të përmbushë plotësisht obligimet e kësaj organizate dhe të tërheqë masën”, ka thënë Kocijançiç. Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007. Përveç tjerash zëdhënësja e BE-së ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës dëmton bashkëpunimin rajonal, dhe nuk është në linjë me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që ka Kosova me BE-në.

Gjuriç: Kosova të tërheqë taksën, ose ndërpritet dialogu

Reagimin nga Beogradi e dha dje kreu i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç i cili tha se  se Serbia kërkon veprim të menjëhershëm dhe të vendosur nga bashkësia ndërkombëtare ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës. “Përgjegjësia për këtë dhunë ekonomike dhe ligjore është te komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Gjuriç në një konferencë për shtyp, duke shtuar se me këtë vendim Prishtina ka pamundësuar vazhdimin e dialogut në Bruksel derisa ta tërheqin “vendimin e paligjshëm dhe të dëmshëm”, i cili është i motivuar politikisht. “Luftërat tregtare, të cilat po i nis Prishtina banojnë vetëm në kokat e sëmura, të cilët mendojnë se mund të bëjnë diçka, dhe dëmtojnë popullin serb dhe shqiptar. Askush nuk mund ta ndalojë asnjë qarkullimit të mallrave, apo rrjedhjen e kapitalit”, ka thënë Gjuriç. Ai shtoi se Serbia do të mbrojë interesat e serbëve, dhe se lufta tregtare midis Kosovës dhe Serbisë është konflikt i drejtpërdrejtë me normalitetin.

Andi Lamko