SHPËRNDAJE

Nga 2.2 miliardë euro sa është vlera e përgjithshme e kredive të lëshuara nga bankat komerciale, mbi 1 miliard euro janë vetëm kredi hipotekare. Kërkesa për kredi hipotekare po rritet vazhdimisht, përderisa norma e interesit për kredi të tilla ka rënë në minimum

Mbi 1 miliard euro është shuma e përgjithshme e kredive hipotekare të aprovuara nga bankat komerciale në vend, derisa vetëm vitin e kaluar janë aprovuar mbi 71 milionë euro kredi të tilla. Bazuar në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) del se gjysma e kredive të përgjithshme janë hipotekare, nga 2.2 miliardë euro sa është vlera e gjitha kredive të lëshuara nga bankat.

Kërkesa nga klientët e bankave për kredi hipotekare po shënon rritje të vazhdueshme nga viti në vit, ku, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë vitit 2016 vlera e përgjithshme e kredive të reja hipotekare është për 5,3 për qind më e lartë, krahas vitit paraprak. Kërkesat në rritje për kredi hipotekare po i determinojnë edhe normat e ulëta të interesit në kredi, të cilat janë përgjysmuar, krahasuar me pesë vjet më parë. Tashmë në banka komerciale klientët mund të marrin kredi hipotekare me norma shumë të favorshme të interesit, derisa normat e tilla në të kaluarën kanë qenë dukshëm më të larta.

“ProCredit Bank”, me normë efektive vjetore të interesit duke filluar nga 4,10%

Driton Hetemi, udhëheqës i departamentit për Klientët Privatë në “ProCredit Bank” thotë se kjo bankë tashmë ka lansuar fushatën për kredi të lira hipotekare.

“Për ta ilustruar këtë që po e them, vitin 2017 e kemi nisur me ofertë speciale për kredi hipotekare me normë nominale vjetore të interesit duke filluar nga 3,95%, ose normë efektive vjetore të interesit duke filluar aktualisht nga 4,10 %. Duke qenë se banka jonë fokusohet në ofrimin e kredive hipotekare për pranuesit e të hyrave të rregullta mujore përmes bankave, konsiderojmë që rënia e interesit të këtyre kredive nënvizon edhe më tej fokusin e bankës sonë në ofrimin e shërbimeve bankare duke ndihmuar ekonomitë familjare në përmirësim të mëtejmë të mirëqenies se tyre”, ka thënë ai për “iBANK”.