SHPËRNDAJE

Maqedonia e Veriut deri në fund të majit nuk do të hap pikat kufitare, bëjnë të ditur autoritetet e Shtabit qendror të krizës.

Ende nuk është saktësuar se qytetarët kur mund të udhëtojnë jashtë shtetit dhe në cilat kushte, përcjell INA.

Kjo temë do të jetë pjesë e konsultave dhe koordinimeve mes Ministrive të Shëndetësisë të rajonit me përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), edhe gjatë samitit të sotëm të BE-së.

Pas kësaj do të dihet se çfarë masa duhet të ndërmarrë secili shtet për hyrje dhe dalje nga territori i saj.
Nuk përjashtohet mundësia për marrëveshje ndërshtetërore dhe respektim të disa kritereve e masave, për shkak të koronavirusit.

Një nga to janë masat mbrojtëse, por nuk përjashtohen testet e obligueshme negative për Kovid19 që duhet ti posedojë çdo udhëtarë që del apo hyn në vend. Këto rezultate të testeve duhet të jenë të vjetra disa ditë, por nuk është saktësuar.

Sipas mediave maqedonase, kjo masë do të vlejë edhe për të udhëtuar në shtetet fqinje. Por deri tani asgjë nuk ka konkrete, megjithatë Greqia, Serbia dhe Kroacia veçmë po e përmendin këtë masë preventive.

Edhe pse disa kompani kanë nisur që të shesin bileta për datat pas 15 majit, Ministria e Transportit në Maqedoni bëri thirrje që qytetarët të mos nguten me rezervimin e biletave, për shkak se ende nuk është precizuar se si do të funksionojnë aeroportet dhe kur do të bëhet hapja e tyre.

Disa shtete kanë shqetësime se tani po vjen sezoni turistik dhe se ato po shqyrtojnë mundësinë që të mos ashpërsojnë masat. Shqipëria akoma nuk ka bërë të ditur se cilat do të jenë masat preventive për pushuesit gjatë sezonit veror. Greqia insiston që çdo turist të ketë dokument se ka kryer testin dhe është negativ. Në këtë vend sezoni do të hapet në fillim të korrikut, ndërsa Mali i Zi ka thënë se hapja e sezonit të pushimeve do të jetë në fillim të gushtit. (INA)