SHPËRNDAJE

Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seanca solemne me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fjalimin e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot është datë e shënuar për historinë e vendit tonë.

“Sot është datë e shënuar për historinë e vendit tonë, 22 vite më parë me 5 mars forca të shumta të policisë e ushtrisë serbe me tanke e artileri kishin rrethuar shtëpinë e familjes Jashari në Prekaz. Asnjë sulm nuk i dobësonte e nuk i zbrazte por vetëm që i forconte. Për tri ditë rresht do të luftonin tre breza bashkë, tre breza të një familje të madhe u flijuan për të ardhmen dhe për neve. Nga Shabani e Zahidja që ishin 74-vjeçar e deri tek Igballja 11-vjeç , Blerina 7-vjeç e Kushtrimi 13-vjeç. Hamza, Ademi bashkë me Zarifën, Hidajetën, Adilen, Feridën e Selvetën luftuan e u sakrifikuan sepse deshtën lirinë dhe tokën më shumë se jetën.  Baca Shaban me djemtë, Ademin dhe Hamzën me gratë e tyre por edhe me nipa e mbesa, vajza e djem, në ato tre ditë e tri natë të qëndresës epike në Prekaz, 59 dëshmorë ranë për lirinë e atdheut, prej tyre 18 gra e 10 fëmijë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti, ka thënë se komandanti Adem Jashari, ishte i destinuar që të bënte histori.

“I lindur në 28 nëntor në Ditën e Flamurit kombëtar shqiptar, e i rënë më 7 mars në ditën e mësuesit, Adem Jashari thua se ishte i destinuar të bënte histori. Me Jasharajt çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre. Lirinë që e gëzojmë sot e kemi nga dëshmorët dhe martirët. Faktor tjetër është NATO ndërsa më pas janë kontributet e secilit prej ne. Ata asnjëherë nuk u dorëzuan dhe asnjëherë nuk e lëshuan Kosovën. Bërthama e ushtrisë ishte te familja Jashari, ndërsa pa rezistencën, qëndresën dhe luftën e tyre nuk do të kishte UÇK”, ka pohuar Kurti.

Seanca solemne ka filluar rreth orës 09:00, të pranishëm në seancë ishin edhe fëmijët e familjes Jashari.