SHPËRNDAJE

Fituesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, më 6 tetor 2019, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kohë edhe 6 ditë që ta formojë Qeverinë e re, shkruan IndeksOnline.

Kjo pasi që me afat kushtetues, Kurti ka kohë deri më 4 shkurt.

E partia e vetme, me të cilën, tash e sa kohë po tenton të gjejë një gjuhë të përbashkët për një marrëveshje, që të bashkëqeverisin, nuk po i pranon kushtet e vendosura nga LVV-ja.

Edhe pas takimit të mbrëmshëm, takimi VV-LDK, në prani të ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, nuk rezultoi me një marrëveshje.

Përfaqësuesit nga shtetet e QUIN-it thanë se “më shumë kemi dëgjuar sa që kemi folur”.

Të gjithë pohuan se ata ishin aty vetëm për t’u informuar për procesin e diskutimeve, e jo për të dhënë këshilla për bërjen e Qeverisë.

Ndërsa, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar para mediave se i qëndrojnë ofertës që ia kanë bërë LVV-së.

“Mbesim të hapur në qoftë se LVV-ja si parti e parë i pranon kërkesat tona. Jemi të gatshëm që në çdo kohë të lidhim marrëveshje”, tha Mustafa.

Kurse Albulena Haxhiu ka deklaruar se nuk ka marrëveshje, pasi LDK-ja nuk po ka vullnet që të qeverisin bashkë.

“Do të doja që të thoja që marrëveshja është realizuar. Por nuk mund të them një gjë të tillë, pasi LDK-ja po insiston të kërkesa e tyre e 8 janarit”, tha ajo.

E kërkesa e LDK-së, që është bërë “mollë sherri” është pozita e Galuk Konjufcës, kryeparlamentar.

Në ofertën e LDK-së kanë kërkuar që ta ketë kryetarin e Kuvendit, nënkryetarin e dytë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.

Por, Albulena Haxhiu ka thënë se ndërrimi i kryeparlamentarit pas zgjedhjes së presidentit, si kandidat i propozuar LDK-së, do të thotë tallje me këtë institucion.