SHPËRNDAJE

Gjatë ditës së sotme, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zhvilluar biseda telefonike me tre asamblistët shqiptarë të komunës së Medvegjës, Muharrem Salihun, Florim Sahitin e Fehmi Behën, dhe gjithashtu me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa.

Sipas njoftimit, Kurti i kontaktoi ata për të biseduar rreth situatës që është krijuar tashmë në shumicën e vendeve të botës me pandeminë COVID-19, dhe e cila nuk përjashton as Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

“Ai u interesua se me çfarë sfida po përballën qytetarët atje dhe se çka mund të bëjë Republika e Kosovës për bashkëkombasit tanë në këto tri komuna shqiptare”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.

Tutje në njoftim thuhet se, Kurti i njoftoi ata të gjithë që në koordinim me Ministrinë e Financave e Transfereve dhe me Ministrinë e Shëndetësisë do të iu ndihmojë shqiptarëve të Luginës për ta tejkaluar sa më lehtë e shpejtë këtë pandemi.

“Shqiptarët e Medvegjës u ankuan që përveç pandemisë COVID-19, ata janë duke u përballur edhe me pandeminë e pasivizimit të adresave dhe ç’regjistrimit të banorëve shqiptarë. Në Medvegjë janë të regjistruar 1.200 shqiptarë, ndërsa në vitet e fundit rreth 4.000 të tjerë janë ç’regjistruar. Si pasojë e këtij dëbimi të heshtur, Medvegja rrezikon të humbë dygjuhësinë. Qeveria e Kosovës gjithmonë do të solidarizohet me shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe do të jetë pranë tyre gjatë çdo vështirësie”, vijon njoftimi.