SHPËRNDAJE

Një gjykatë ka urdhëruar pronarin e një vile prej 57 milionë eurosh në jug të Francës për ta prishur atë, pasi vlerësoi se ndërtesa është ndërtuar ilegalisht.

Chateau Diter në Grasse, e cila për një kohë kishte qenë një shtëpi e braktisur prej 200 metrash katrorë dhe me plotë gjarpërinj, është shndërruar në një pronë luksoze me një pishinë dhe heliport.

Megjithatë, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gjyqtarët e apelit në Aix-en-Provence zbuluan se ndërtesa ishte ndërtuar pa leje në një pyll të mbrojtur dhe tha se duhet të shkatërrohej në 18 muajt e ardhshëm.

Pronari i saj, zhvilluesi i pronave, Patrick Diter, gjithashtu përballet me një gjobë prej 450,000 eurosh, që do të rritet me 500 euro për çdo ditë, nëse ai nuk “bindet” pas afatit prej 18 muajsh.

Në gjyqin e Diter në janar, ndihmësi i prokurorit publik, Pierre-Jean Gaury, tha se transformimi i pronës ishte një “projekt tërësisht ilegal dhe i ndërtuar në mënyrë të paligjshme”.

Gaury ka thënë tutje se ndërtimi është kryer në kundërshtim me rregulloret e planifikimit urban, si dhe me rregullat e sigurisë dhe mjedisit nga një pronar, për të cilin sipas tij, “shqetësimi i vetëm është paraja”.

Kështu, siç thuhet tutje, Diter pranoi të prishë çdo ndërtesë të ndërtuar pa leje dhe pranoi se ai bëri disa gabime.

Ai u dërgua në gjykatë pasi fqinjët u ankuan rreth zhurmës kur vila ishte dhënë me qira për prodhime të mëdha të filmit dhe dasma, me rreth 50,000 euro për mbrëmje. Gjykata i dha fqinjëve 45 mijë euro dëmshpërblim.

Diter, i cili jeton në Chateau Diter me gruan e tij Monica dhe vajzën, i ka thënë mediave lokale se në vitin 2017 se ai bleu pronën në vitin 2000 pasi nuk arriti të gjejë një shtëpi të përshtatshme në Tuscany.