SHPËRNDAJE

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbledhë sot Këshillin Drejtues për të biseduar rreth emrit për mandatarin për kryeministër.

Këtë lajm e bëri të ditur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, të mërkurën pas takimit konsultativ me presidentin Hashim Thaçi, ku tha se qeveria e udhëhequr nga LDK-ja do të jetë qeveri e përbërë nga figura të pastra.

“Ne nesër do të kemi kryesinë e LDK-së që do të bisedojmë për mandatarin do të konsultojmë këshillit të përgjithshëm. Do të marrim miratimin e tyre, meqenëse se tani nuk kemi mundësi të thërrasim do të flasim në mënyrë elektronike. Në momentin që e përfundojmë këtë, pastaj edhe një cikël do të vazhdojmë me partneret dhe do shohim për të argumentuar te presidenti se e kemi këtë shumicë”, tha ai. Krahas kësaj Mustafa para gazetarëve tha se qeveria e ardhshme do të merr obligimet që i takojnë në dialogun me Serbinë.

Ndërkohë burime brenda kësaj partie kanë lënë për të kuptuar se mandati do ti caktohet kryetarit të saj, Isa Mustafa, por në lojë janë edhe emrat e Abdulla Hotit, Arben Gashit dhe Kujtim Shalës.