SHPËRNDAJE

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka komentuar konferencën për media të deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se Kosova duhet të hyjë në finale me Serbinë me kërkesa maksimaliste që është bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Memli po luan me emocionet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në këtë situatë që po flitet tash mos të harrojmë që kanë shkuar në dy raunde të dialogut. Kemi raporte të qeverisë për dialogun të cilat asnjëherë nuk janë diskutuar. Po pritet prej neve ta mbështesim Hashim Thaçin pa e ditur se çka ka me fol atje e duke pasur eksperienca të mëhershme me Hashim Thaçin”, ka thënë ai.

“Kjo nguti e vazhdueshme pa na informuar asgjë, me një njeri të cilin nuk mund t’i besohet me gjendjen të cilën e ka sjellë, atëherë është shumë legjitime që të kërkohet debat pasi u bë shumë temë serioze edhe në forumin në Austri”, ka thënë Aliu.

“Po ta japim sot mbështetjen në fund ne do të jemi fajtorët siç na ka bërë më herët”, ka thënë tutje deputeti i Vetëvendosjes duke iu referuar Thaçit.

“Atë po e shantazhojnë, ajo po e mbron vëllanë e vet aty”, tha Aliu për prezencën e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova në seancën e sotme.

Sipas tij, prania e deputetes Rugova në Kuvendin e Kosovës për seancat speciale kur i duhet pozitës edhe vota e saj bëhet për shkak të shantazhit ndaj saj për rastin e vëllait, Ukë Rugova.