SHPËRNDAJE

Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, pas takimit me kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinaj, si dhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se kanë biseduar për situatën e krijuar në vend.

Limaj ka thënë se vendi është në prag të zgjedhjeve.

“Janë takime normale, konsultative. Sot e pimë nga një kafe me kolegët, Haradinajn dhe Pacollin. Biseduam për zhvillimet, si të ecim përpara. Besoj që është e qartë se vendi është në prag të zgjedhjeve dhe duhet sa më shpejt t’i jepet epilog kësaj çështje, sepse duhet data e zgjedhjeve”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Limaj ka shtuar se Presidenti Thaçi duhet sa më parë ta kryejë detyrën e tij që të caktojë datën e zgjedhjeve.

“Duhet sa më shpejt të mblidhen partitë politike, të caktohet data e zgjedhjeve. Natyrisht edhe Presidenti duhet të kryejë detyrën e vetë, pastaj me dhënë një datë të zgjedhjeve sipas një marrëveshje politike mes partive. Pres takime të veçanta me agjendë të qartë kur të na thërret Presidenti. Mendimi im është sa më shpejt të shkojmë me procedura ligjore, shpresoj që të na thërret Presidenti – pastaj partitë të mblidhen dhe të dakordohen me një datë të zgjedhjeve. Vendin e dërgon në zgjedhje vetëm marrëveshja mes partive politike dhe shpërbërja e Kuvendit”, ka thënë ai.

Ndër të tjera ai ka thënë se marrëveshja politike duhet të ndodhë brenda javës së ardhshme.

“Një takim i tillë drejt një marrëveshje politike nënkupton që pozitë e opozitë të jenë në Parlament. Java e ardhshme duhet të jetë vendimtare për ta përmbyllur këtë proces”, ka thënë Limaj.