SHPËRNDAJE

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se përfundimisht koalicioni NISMA-AKR-PD është pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Limaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pas përfundimit të rinumërimit të mbi 1400 vendvotimeve dhe numërimit të të gjitha votave të rregullta, vullneti i qytetarëve të Kosovës u lexua.

Postimi i plotë i Limajt në faqen zyrtare të Nismës Socialdemokrate:

“Përfundimisht koalicioni NISMA-AKR-PD pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Pas përfundimit të rinumërimit të mbi 1400 vendvotimeve dhe numërimit të të gjitha votave të rregullta, vullneti i qytetarëve të Kosovës u lexua. NISMA dhe koalicioni ynë do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Tanimë mund të flasim për një rezultat të rregullt zyrtar.

Me këtë rast, falënderojë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e koalicionit tonë për mbështetje në këtë garë zgjedhore!

Ashtu siç kemi thënë nga fillimi NISMA dhe koalicioni ynë do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës falë votës dhe mbështetjes se mbi 42 mijë votuesve.

Urime të gjithë votuesve të koalicionit tonë!FL”, ka shkruar Limaj.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, thanë zyrtarë të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve.

Këto vendvotime u dërguan në rinumërim pas një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas ankesave të partive politike për rezultatin përfundimtar të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pas përfundimit të rinumërimit tha se brenda 24 orësh mund të parashtrohen ankesa nga subjektet politike në administrim të numërimit që është zhvilluar në QNR.

“Para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve, merr konfirmimin nga ana e PZAP-it dhe Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje e cila është në shqyrtim. Pra, në momentin kur të kemi këto konfirmime, si institucion mund të procedojmë për certifikimin e rezultatit përfundimtar”, tha Elezi.

Ai tha se rezultatet zgjedhore do të publikohen në ueb-faqen e KQZ-së.