SHPËRNDAJE

“Gëzimi ynë sapo nisi; do të festojmë deri në mëngjes. Lërnani të gëzojmë dhe ne një herë. Kemi 17 vjet që e presim këtë ditë”, shprehet mbështetesja e Ekrem Imamoglu Era Alday.

Në 23 qershor, Stambolli shkoi në votime për të dytën herë. Fitorja historike e kandidatit opozitar, Ekrem Imamoglu në muajin mars, u hodh poshtë për teknikalitete: ndonëse i rrëzuan në atë rast pretendimet e partisë në pushtet AKP për manipulime, autoritetet zgjedhore urdhëruan rivotimin me argumentin se disa nga fletët e votimit ishin të palexueshme.

Stambolli përfaqëson një të tretën e ekonomisë turke dhe një buxhet prej 8 miliardë dollarësh. Marrja e qytetit me te madh te Turqis kishte nje rendesi kyce; “Kush kontrollon Stambollin, kontrollon Turqinë”, ishte lajtmotivi i vetë Rexhep Tajip Erdoganit, për të cilin këto zgjedhje lokale, pesha e të cilave mori praktikisht trajtat e zgjedhjeve kombëtare, kishin dhe një peshë morale: është qyteti i lindjes së presidentit turk, vendi ku nisi karrierën e tij politike e ku ka qenë dhe vetë kryetar bashkie.

Prej aty u katapultua drejt postit të kryeministrit në 2003-shin e 11 vjet më vonë, atij të kreut të shtetit. Një kohë përgjatë së cilës, e veshi veten me aureolën e të pamposhturit; lideri polarizues kontrollon çdo organ të shtetit turk; censura i ka mbyllur gojën opozitës e mediave, por ai nuk arriti dot të kontrollonte votën e banorëve të Stambollit, sado që u përpoq: në fund, raundin e dytë, ata e ndëshkuan me 54% të votave të dhëna kandidatit opozitar, shumë më tepër sesa diferenca prej 13.000 votash që u shënua në raundin e parë mes tij dhe rivalit nga AKP-ja, ish kryeministrit, Binali Yildirim.

“Banorët e Stambollit na e rifreskuan besimin tone tek demokracia dhe tek drejtësia. Punuam së bashku për katër muaj, ditë e natë. Dhe tani do të punojmë katër vjet me të. Do të na ketë gjithmonë pas vetes”, tha Ekrem Imamoglu.

Edhe në rrugët e Stambollit një ditë më pas, mbizotëronte kjo lloj ndjesie.

“Po e prisnim këtë fitore, është shumë mirë për ne. Të gjithë njerëzit po ti shihni, janë të buzëqeshur, kanë një bindje të brendshme se gjërat do të shkojnë shumë mirë”, tha Hasan Sofuoglu, banor i Stambollit.

Vëzhgues të Këshillit të Europës u dërguan në një sërë qendrash votimi në Stamboll, e në fund ata ishin të një mendjeje për ecurinë e procesit: monitoruesit ndeërkombëtarë nuk kishin pikë dyshimi, zgjedhjet qenë transparente e të mirë-organizuara.

“Qytetaret e Stambollit zgjodhën një kryetar bashkie të ri përmes një votimi shumë transparent e të organizuar me profesionalizëm. Rezultati është mëse i qartë. Ne presim që vullneti i lirë i votuesve, të respektohet”, tha Andrew Dawson, kryetar i delegacionit të vëzhguesve të Këshillit të Europës.

E përballë kësaj të vërtete, Erdogani nuk pati më se c`të bënte, përveçse të uronte fituesin. Në daljen e parë publike pas votimit turpërues për partinë e tij, kreu I shtetit turk u zotua të nxjerrë mësime e të marrë masa për përmirësime në linjë me mesazhin e dhënë nga populli.
“Nuk mund të zemërohemi e as të fajësojmë njerëzit për këtë situatë. Nuk e kemi luksin ta bëjmë njërin vesh shurdh e të injorojmë mesazhet e dhëna nga populli”, tha Erdogan.

Ngjadhnjimi i Imamogluse do të thote për Erdoganin humbje të bazës së pushtetit në Stamboll që ai e mbante prej plot një çerek shekulli. Hendeku i thellë i votave në votimin e dytë, i detyrohet duket në radhë të parë ndjenjës së padrejtësisë së bërë me vendimin për ripërsëritjen e votimit. Duke cituar të dhëna nga Istanbul Economics Research, The Guardian thotë së ka pasur madje një rrjedhje direkte të votave nga kandidati i AKP-së tek rivali i tij i partisë popullore republikane, CHP. Arsyeja e këtij devijimi besohet të jetë perceptimi I gjerë se fitorja e parë e Imamoglu, ishte sfiduar padrejtësisht.

“Personalisht, mendoj se përsëritja e këtyre zgjedhjeve, nuk ishte e drejtë. Por fakti që për të dytën herë fituan me një diferencë kaq të thellë, e bën këtë edhe më pozitive për Stambollin”, tha Servan Soydan, banor i Stambollit.

“Ne jemi turq dhe kombi turk gjithmonë i ka mbrojtur e mbështetur viktimat. Besoj se ata humbën kaq rëndë sepse nuk dhanë një shpjegim bindës për anulimin e raundit të parë; ky ishte një ndëshkim shumë i madh”, tha Naziye Durmus , banore e Stambollit.

Yildirim u përpoq shumë ta sheshonte diferencën prej 13.000 votash të raundit të parë, duke u angazhuar ndjeshëm me bazën e partisë në lagjet e punëtorëve apo ato konservatore, të cilat e ndëshkuan qeverinë turke për krizën e ekonomisë duke qëndruar larg qendrave të votimit në mars. Ekonomia vazhdon të mbetet një shqetësim I madh për turqit; kriza ka prekur disa sektorë të saj, duke goditur mes të tjerash edhe industrinë e produkteve të fëmijëve.

Rritja e inflacionit ka bërë që prindërit të përballen me vështirësi të mëdha në mbulimin e kostos së rritjes së fëmijëve të tyre.

“Ne na duhet t`i marrim patjetër këto gjëra, sepse janë të domosdoshme për foshnjën, por çmimet janë tmerrësisht të shtrenjta”, tha një nënë.

Por duket pati edhe diçka tjetër që i shtyu njerëzit drejt tij: toni pajtues i Imamoglusë ishte muzikë për veshët e votuesve të ngopur nga kurset e përplasjes, ndërsa ai po shfaqet tani edhe si figurë që mund të sfidojë dhe vetë fronin e Erdoanit.

“Ai ofroi një alternativë të re banorëve të Stambollit, të lodhur nga vite të tëra retorike politike të hidhur dhe përjashtuese. Së fundi, Imamoglu ka qenë veçanërisht i efektshëm në bashkimin e opozitës së fragmentarizuar të Turqisë, e cila përfshiu këtë radhë CHP-në, por edhe partinë nacionaliste laike İyi, si dhe atë pro-kurde, HDP”, shkruan “The Guardian”.

Çfarë do të thotë realisht kjo fitore? Në rrafshin afatshkurtër, ajo mbase mund të mos prodhojë ndonjë tërmet të madh në skenën politike të vendit; por ka potencialin të sjellë ndryshime të mëdha në periudhën afatgjatë.

“Ky triumf i jep në radhë të parë shumë krahë opozitës, që tani ka në duar kontrollin e qyteteve që llogarisin pothuajse 70% të GDP-së së vendit. Nëntë prej 10 zonave të mëdha urbane të vendit do të drejtohen përgjatë mandatit të ardhshëm nga një kryetar bashkie i lidhur me opozitën; përjashtim bën vetëm province industriale e Bursës. Në këtë mënyrë, opozita do të jetë mundësinë të çmontojë, e më pas, të ristrukturojë rrjetin e patronazhit që e ka ndihmuar AKP-në ta vendoste veten me shumë sukses në majën e politikës turke”, tha Sinan Ulgen.

Rezultati me gjasë, do të inkurajojë edhe garuesit e rinj, që mund ta interpretojnë si një dritare të celur për ata vetë me lëkundjen e hegjemonisë së AKP-së. konsiderohet se në mënyrë të veçantë, nga ky sinjal i qartë pakënaqësie në rritje brenda partisë në pushtet, pritet të inkurajohet lëvizja politike që përflitet të jetë krijuar nga ish ministri i AKP-së, Ali Babacan. Por ajo cfare eshte më e rëndësishmja, thotë Sinan Ulgen është se rezultati I këtyre zgjedhjeve, me shumë gjasë, do të çojë drejt një mendimi të ri për lidershipin e AKP-së.

“Tronditja duhet të ketë qenë e jashtëzakonshme. Ky është padyshim grushtimi më I fortë që ka marrë rrjedha e fitoreve elektorale të Erdoganit. E ardhmja e politikës turke do të varet nga mënyra sesi do ta interpretojë ai vetë këtë rezultat dhe mësimet që do të nxjerrë realisht prej tij ky politikan I sprovuar me qëllimin që rrota e fatit të tij në politikë, të mos kthehet”, tha Sinan Ulgen.

Dhe një reagim I parë që më shumë u pa si shenjë reflektimi, Erdoani e pati. Ai la të kuptohet vagët se nuk e përjashton mundësinë e një riorganizimi të kabinetit qeveritar.

“Kjo do të shihet me kujdes; nëse do të nevojitet një riorganizim, ai ka për të ndodhur, por urdhra, nuk marrim nga askush!”, deklaroi Erdogan.

Paqartësia mbi fatin e Stambollit dhe vonesat e mundshme në reformat e gjera ekonomike I kanë mbajtur tregjet financiare në gjendje tensioni. Kërcënimi i sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara lidhur me planet e Turqisë për të instaluar sisteme raketore ruse të mbrojtjes, kanë pasur edhe ato ato peshën e tyre mbi tregje. Rënia me gati 10% që pësoi lira turke pas vendimit për të anuluar votimet e marsit për këtë qytet, iu shtua dhe ajo pejsazhit të nervozizmit zgjedhor. Por fitorja elektrizoi partinë laike të shtyrë prej dy dekadash në bankën pa shkëlqim të opozitës, që gati katër muaj më parë, rrëmbeu edhe Ankaranë. Për site-n e pavarur Ahval, me humbjen e Stambollit, Erdogani, humbi praktikisht Turqinë.

“Erdogani angazhoi në fushatë të gjithë aparatatin e tij shtetëror, të ciline kishte në krah, duke përfshirë këtu kanale mediatike, ambjente e fonde. E megjithatë, ne 23 qershor, ai e humbi zyrtarisht Turqinë dhe kjo është e pamohueshme.”,shkruan Jerusalem Post.

Në sytë e miliona turqve, Erdogani ishte i pamposhtur. Dhe në 23 qershor, ai nuk humbi thjesht Stambollin për herë të dytë, ai humbi pikërisht këtë imazh që e kishte ndërtuar me kujdes për kaq kohë. Por tani që festimet mbaruan, Imamoglu dhe opozita duhet të përgatiten për pengesa të mëdha në përkthimin e triumfit zgjedhor në një qeverie të suksesshme, thonë analistët.

Pavarësisht llogarive të fundit të bëra keq, Erdogani dhe AKP-ja nuk kanë për tu dorëzuar lehtë. Ata I kanë në dispozicion të gjitha mjetet e duhura për ti vënë shkopinj nën rrota Imamoglusë.

Madje Steven O.Cook mendon se Erdogani mund të lëshojë dekrete presidenciale që kufizojnë aftësinë e kryebashkiakëve të qyteteve të mëdha për të menaxhuar burimet financiare. Problem tjetër I opozitës sipas tij, është koha: nuk do të ketë më zgjedhje të tjera në Turqi deri në 2023-shin, dhe ndonëse Erdogani dhe partia e tij mund të ndeshen me telashe për momentin, kjo nuk do të thotë se rezultatet e Stambollit, ishin fatale për ta.