SHPËRNDAJE

Farën e përçarjeve preshevare, në këto ditë të nxehta pranverore, në Komunën e Bujanocit, po e bart një frymë me plot turbulenca politike.
Këtij virusi antishqiptar po i frynë, nga burime të mirinformuara, ish kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi dhe partia e tij në opozitë, të mbështetur nga partia e kryeministrit Vuçiq dhe disa nga biznesmenë kontroversë të kësaj komune, të cilët çmendurisht po mundohen për shpartallimin e pushtetit vendor.

Seanca e parë për këtë vit e Kuvendit Komunal, është treguesi i qartë se si është zhvilluar skenari për bllokimin e legjislativit me kontrabandimin e këshilltarëve për shumicë tjetër parlamentare, nga ajo aktuale.

Çarshia flet hapur se për rrënimin e koalicionit aktual, qarkulluan iniciativa të ndryshme shqiptaro-serbe, në prag të zgjedhjeve presidenciale për të joshur qeveritarët serbë, që të kthejnë në pozitë “pobratimët” dhe aleatët e dikurshëm të qeverisjes lokale. Pazaret lidheshin edhe me “votat”, që mund të siguroheshin pas këtyre ndërrimeve në llogari të kandidatit për president të mundshëm Aleksandër Vuçiq, me mbushjen e kutiave me vota shqiptare.

Kjo u pa para fillimit të seancës kuvendore, ku kishin ardhur mediume të shumta serbe lokale dhe nacionale, për të dhënë sihariqin se në Bujanoc, po ndodhin ndryshime politike.

Kujt i shërbejnë këto turbulenca?!

Askujt, përveç atyre që nuk mund të pajtohen me humbjen e pushtetit dhe mundohen në forma të ndryshme të kthehen, të paktën me këso veprimesh, sa për të mbajtur gjallë shpresat e thyera të elektoratit të zhgënjyer.

Këto veprime janë shumë të rrezikshme, të cilat bartin me vete rreziqe të paparashikuara, aq më tepër kur vijnë nga persona me teke dhe qejfe të sëmura për famë dhe para.

Koalicioni aktual i Bujanocit nuk është ngritur brenda javës, por i kalitur në pesë palë zgjedhje. Ta veshë në rrezik një koalicion të tillë është baras si me rënë me syhapur në greminë.

Këto përpjekje për ndryshime qeverisëse në Bujanoc allapreshevarçe do t’i shkoj për shtati bllokut serb, i cili mezi po prit të ndodh një rrëmujë politike në këtë komunë, për t’i bllokuar proceset demokratike edhe ashtu të brishta në këtë rajon.

Si do që të jetë turbulencat politike rreth iniciativave të tilla për shthurjen e qeverisjes lokale në Bujanoc, bëhen me një llogari pa hanxhiun.

Bujanoci nuk guxon ta luaj lojën ruse të ruletit. Ata që e dëshirojnë një lojë të tillë, do të ngelin ashtu siç janë të mjerë, të dyshimtë dhe perversë./Sevdail Hyseni/