SHPËRNDAJE

Romelu Lukaku ka treguar se cili është derbi i tij i preferuar në Mes të Interit dhe Milanit, dhe legjendat e Interit që ai do të donte shumë të takohej me ta, pasi i cilëson idhuj.

Interi është nikoqir i Milanit në Derby della Madonninan e dytë të sezonit, i cili zhvillohet në Giuseppe Meazza me fillim nga ora 20:45.

Në prag të derbit të madh lokal ka folur edhe sulmuesi belg, Lukaku, i cili ka treguar derbin e tij të preferuar dhe idhujt e tij zikaltër.

“Më kujtohet fitorja e Interit 4-0 në derbin e vitit 2009”, ka thënë fillimisht Lukaku për faqen zyrtare të klubit.

“Sapo isha bërë një lojtar i futbollit profesionist dhe e pashë atë ndeshje, pasi ishte debutimi i Wesley Sneijder. Ajo që bëri përshtypje për mua ishin paraqitjet e Samuel Eto’o dhe Diego Milito, por mbi të gjitha mbaj mend golin e mrekullueshëm të Thiago Motta”.

“Unë kam dy idhuj të futbollit, të cilët do të dëshiroja t’i takoja. Ata janë Ronaldo [fenomeni] dhe Adriano. Nëse do të kem mundësinë të flas me ta, do të ishte shumë emocionuese dhe thjesht diçka e madhe për mua”.

“Nuk e di nëse do të jem në gjendje të jap edhe një pjesë të vogël të asaj që ata bënë te Interi, por objektivi im është të punoj shumë, të rritem dhe të bëj çmos për këto ngjyra të klubit”.

“Shikoj shumë futboll në kohën e lirë dhe më pëlqen të mësoj edhe për kundërshtarët e mi, duke studiuar lëvizjet e tyre. Kaloj kohë me djalin tim, luaj video lojëra, bisedoj me mamanë time. Jetoj një jetë mjaft të thjeshtë, vërtet”.

“Nuk më pëlqen të humbas dhe zemërohem kur kjo të ndodhë, por në përgjithësi jam një person shumë pozitiv. Duke marrë parasysh se nga vij dhe historinë time, nuk pata zgjidhje tjetër veç të isha pozitiv”.

“Mënyra se si jetoj tani, me familjen time, nuk kam pse të jem negativ. Kjo është bërë mentalitet i imi, si brenda dhe jashtë fushës”, përfundoi ylli belg.