SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak, do të jetë i dërguari special i BE-së në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu së paku raportojnë mediat serbe, të cilat thirren në burime të tyre në Berlin.

Po sipas mediave serbe,  ai vjen në këtë post me sugjerimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila kështu do të angazhohej indirekt në mënyrë më të fortë.

“Tani është zyrtare, si udhëheqja shtetërore e Beogradit, ashtu edhe udhëheqja e Prishtinës janë të vetëdijshëm që Lajçak do të udhëheqë negociatat në të ardhmen”, ka thënë burimi në fjalë.

Megjithatë, mediat serbe shkruajnë se kabineti i presidentit Aleksandar Vuçiq nuk janë deklaruar rreth këtij informacioni.

Çfarë shtohet nga mediat serbe është fakti se Mirosllav Lajçak, ministër në largim, është zgjedhja e Berlinit, por Rusia nuk do të ketë asgjë kundër, pasi sllovaku ka mbaruar Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Lajçak thuhet se është njohës i mirë i rrethanave në rajon dhe një politikan me përvojë, dhe tashmë ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme në rajon – ai shërbeu si Përfaqësues Special i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë nga 2006 deri 2009 dhe ka punuar shkurtimisht në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.