SHPËRNDAJE

MedvegjaKryetari

Gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e në mënyrë të veçantë ajo në Komunën e Medvegjës ka qenë diskutimi në mes të ministres për Dialogun, Edita Tahiri dhe delegacionit nga kjo komunë i kryesuar nga zëvendëskryetari, Florim Sahiti dhe këshilltarët Fidan Kosumi dhe Burim Uka.
Ministrja Tahiri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës përcjellë nga afër gjendjen në komunën e Medvegjës dhe në përgjithësi të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe angazhohet për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve duke kërkuar nga Serbia që të ndal politikat diskriminuese dhe të garantoj të drejtat etnike të shqiptarëve sipas standardeve ndërkombëtare.
“Qeveria e Kosovës mbështet fuqishëm realizimin e të drejtave etnike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës sepse kjo është një çështje nacionale për neve dhe interes nacional. Në veçanti jemi të brengosur për gjendjen në komunën e Medvegjës prej nga po largohen shqiptarët në mungesë të perspektivës dhe diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve në çdo fushë të jetës”, citohet të ketë thënë Tahiri.

Ministrja Tahiri vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë mes Qeverisë së Kosovës dhe shqiptarëve atje, në mënyrë që të zgjidhen problemet e tyre dhe të krijohen kushtet për kthimin e shqiptarëve në Medvegjë e komuna tjera.

Zëvendëskryetari i Komunës së Medvegjës, Florim Sahiti, në këtë takim paraqiti gjendjen e rëndë të shqiptarëve në komunën e Medvegjës në të gjitha aspektet dhe kërkoi përkrahje më të madhe nga Qeveria e Kosovës në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen.

Në takim ai kërkoi që të lehtësohet lëvizja e lirë e qytetarëve të asaj ane përmes hapjes së dy pikëkalimeve të reja kufitare, si dhe pikëkalimi në Mutivodë të hapet edhe për lëvizjen e lirë të mallrave. Po ashtu, ngriti shqetësimet për mosnjohjen e diplomave universitare të Kosovës nga ana e Serbisë me të cilën po cenohen perspektivat e shqiptarëve atje duke iu pamundësuar punësimi dhe kontributi i tyre për zhvillimin e komunës dhe të arsimit shqip.

Sahiti foli edhe për format tjera të diskriminimit ndaj tyre nga ana e Serbisë duke potencuar se si pasojë e shtypjes shumica e shqiptarëve është larguar jashtë vendit.

Në takim ishte i pranishëm edhe Deputeti i Kuvendit të Kosovës Nait Hasani.

Ishte konkluzion i përbashkët që duhet të forcohen lidhjet dhe bashkëpunimi i mëtejmë si dhe të vazhdohet komunikimi i rregullt për t’u angazhuar së bashku për zgjidhjen e problemeve.