SHPËRNDAJE

Veprimtari i njohur Muharrem Salihu ka folur lidhur me nismën e ministrit të jashtëm shqiptar, Gent Cakaj që rezultoi me daljen e përbashkët të partive shqiptare të Luginës së Preshevës, gjegjësisht Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ai ka ngritur si çështje mospërfshirjen e asnjë delegati apo përfaqësuesi të Medvegjës në këtë listë. Salihu ka theksuar se përfshirja e Medvegjës është domosdoshmëri, si komuna më e madhe me territor dhe pasuri strategjike, sidomos pas diskriminimit të skajshëm të shqiptarëve.

“Ideja ishte se Medvegja gjithmonë ka qenë e disciplinuar në përkrahje të politikave që ka zhvilluar Presheva dhe Bujanoci, pa hyrë në detaje se ku janë këshilluar dhe si janë këshilluar. Ndërkohë, në momentet më të vështira që po përjeton Medvegja dhe shqiptarët e Medvegjës, në këtë listë të përbashkët nuk u gjet vend për asnjë delegatë nga Medvegja, edhe pse Medvegjës do ti takonin dy sipas kriterit të territorit që përbën gjysmën e Luginës, ndërsa gjysmën tjetër e përbëjnë Presheva dhe Bujanoci bashkë. Përkundër kësaj, ato edhe një të vetëm nuk e përfshinë në listën parlamentare.”, theksoi  veprimtari Salihu.

Sipas tij, kjo nevojë e domosdoshme për shqiptarët e Medvegjës, ka të bëjë më shumë me shqiptarët që sot nuk rezultojnë banorë të Medvegjës, sesa për Medvegjasit që Serbia i ka mëshiruar duke i kursyer nga shlyerja apo pasivizimi i adresave.

”Tashmë është e ditur se mbi 7 mijë shqiptarë që kanë pronat aty, të trashëguara brez pas brezi, ndërsa sot rrezikojnë t’i humbin. Andaj zëri i tyre do të ishte i zgjedhuri në Parlamentin e Serbisë, ku do të ngrinte zërin për këtë padrejtësi”, theksoi Salihu, i cili është asambleist komunal në Medvegjë, dhe një nga veprimtarët që ka alarmuar gjendjen e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, përfshirja e Medvegjës do të kishte simbolikën dhe protagonizmin e madh politik dhe diplomatik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, andaj është momenti i rëndësishëm që në kuadër të konturave dhe detajeve të përfaqësimit në listën e ardhshëm, duhet të jetë i përfshirë edhe zëri i Medvegjës./presheva.com/