SHPËRNDAJE

Në vitin 1960, Sigurimi i Shtetit ishte afirmuar në qëllimin e vet.

Ai kishte pasur sukses të mënjanonte të gjitha përpjekjet nga jashtë për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës dhe, nga ana tjetër, të vendoste nën kontroll absolut popullin e thjeshtë.

Por pikërisht në kohën kur kjo polici sekrete i kishte futur frikën në palcë një populli të tërë, kur askush nuk guxonte të mendonte se mund t’i bënte bisht tutelës që ajo kishte vendosur, një i panjohur, duke u hequr si oficer me gradën major, arriti të depërtojë, me një lehtësi të admirueshme, deri në zemër të këtij shërbimi sekret.

Historia thotë se për 8 muaj me radhë ai u trajtua nga kolegët si oficer dhe si major i Sigurimit të Shtetit në Shkodër, dhe sidomos në Durrës, duke përfituar edhe gjithë atributet e konfortin që ofronte ky post i lartë.

Posedoi armë dhe uniformë me grada majori, mori pjesë dhe dha mendime për arrestime të ndryshme, u akomodua dhe ushqye pa paguar asnjë qindarkë në hotelet dhe restorantet më të mira, madje falë postit të ri të punës, realizoi në kohë rekord edhe një fejesë me vajzën që i pëlqente.

Pas zbulimit, ngjarja do të shokonte strukturat më të larta të Sigurimit të Shtetit. Ajo ishte aq e paimagjinueshme saqë nuk arrinin ta besonin as ata që më pas do të hetoheshin dhe gjykoheshin si viktimat e saj.

Policia Politike e Partisë së Komunistëve shqiptarë, syri i mprehtë i saj, ishin vënë në lojë nga një personazh krejt i pakualifikuar. Përsosmëria e organit më të rëndësishëm të sigurisë së diktaturës komuniste ishte vënë në pikëpyetje.

Por kush ishte personazhi që për 8 muaj me radhë, nën një identitet të sajuar, i dha vetes mundësinë të kalonte një pjesëz të jetës ashtu siç mbase e kishte parë vetëm nëpër filma, apo vetëm në ëndërr? Në çfarë rrethanash ja kishte mundësuar vetes këtë aventurë?