SHPËRNDAJE

Ansu Fati vazhdon ta shkruajë historinë me Barcelonën. Talenti 17 vjeçar po thyen rekorde sa herë që luan në La Liga apo në Ligën e Kampionëve.

Diçka të tillë ai e bëri të dielën mbrëma duke shënuar dy gola të shpejtë brenda dy minutash (më saktësisht brenda 103 sekondash) në fitoren prej 2-1 kundër Levantes.

Në këtë mënyrë, ai u bë lojtari më i ri në histori të La Ligas që shënon dy gola në një ndeshje (në moshën 17 vjet e 94 ditë).

Të dy golat e tij erdhën përmes pasimeve nga Lionel Messi dhe duket se argjentinasi pëlqen më shumë ta lidhë lojën me Fatin sesa me Antoine Griezmann.

Gjatë ndeshjes ndaj Levantes, Messi dhe Griezmann ia pasuan topin njëri-tjetrit gjashtë herë në total, nga tri herë secili.

“Kam kaluar shumë vite duke e shikuar atë (Messin) duke luajtur dhe të jem në krah të tij, është një ëndërr”, ka deklaruar Fati për ikonën argjentinase.