14.6 C
Presevo, Serbia
31.10.2020
Ballina Lajme Meta: Nexhmije Pagarusha nuk ishte magjike vetëm në skenë dhe ekran, por...

Meta: Nexhmije Pagarusha nuk ishte magjike vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj

SHPËRNDAJE

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se me dhimbje e hidhërim të thellë e ka marrë lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të këngëtares Nexhmije Pagarusha.

Meta ka theksuar se këngëtarja Pagarusha ka qenë e dashur edhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, duke shtuar se kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo.

“Si artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë. Unë isha fatlum ta njihja nga afër dhe të ndaja me të shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Ajo nuk ishte magjike, vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj. Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë”, ka shkruar presidenti Meta në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Meta në fund të shkrimit ka thënë se si një nga përfaqësueset më të mëdha të artit e muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë.

Këngëtarja Nexhmije Pagarusha ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.

Ajo la prapa një karrierë të bujshme muzikore me qindra këngë që kanë ruajtur vlera dhe kanë lënë gjurmë në diskografinë e muzikës së mirëfilltë shqipe.