SHPËRNDAJE

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin.

Selimi ka thënë se të drejtat e shqiptarëve të Preshevës po shkelen çdo ditë nga shteti i Serbisë.

“Të drejtat e shqiptarëve të Preshevës çdo ditë po shkelen nga shteti i Serbisë dhe kjo po ndikon në jetën dhe zhvillimin shoqëror të shqiptarëve atje. Në takim me Shqiprim Arifin, kryetarin e Komunës së Preshevës, sot diskutuam për mundësinë e kthimit të degës së Gjykatës në Preshevë, duke parë kështu edhe mundësitë për t’iu ndihmuar financiarisht në ngritjen e këtij institucioni për ndarjen e drejtësisë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Ministri më tej është zotuar që do të punojë në shqetësimin e shqiptarëve.

“Si ministër i Drejtësisë zotohem që Republika e Kosovës do të punojë në shqetësimin e shqiptarëve në ato anë, por edhe në ofrimin e përkrahjes në nivel ndërkombëtar”, vijon shkrimi i tij.