SHPËRNDAJE

Ministrja për Fqinjësinë Evropiane dhe për Amerikën në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Wendy Morton, ka vizituar sot Kosovën, pas pjesëmarrjes së saj të djeshme në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Maqedoninë e Veriut.

“Në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë, ministrja u takua me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Albin Kurti, si dhe me anëtarët e qeverisë së re të Kosovës, për të ritheksuar përkushtimin e kahershëm të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për të diskutuar si mund ta thellojmë partneritetin tonë në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Më tej në njoftim thuhet se ministrja Morton e mirëpriti si hap pozitiv njoftimin e ditëve të fundit të kryeministrit Kurti për heqjen e pjesshme të tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

“Ministrja diskutoi me të gjithë bashkëbiseduesit mbi rëndësinë e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme nga e cila përfitojnë të dy vendet. Ajo inkurajoi si Kryeministrin Kurti ashtu edhe Presidentin Thaçi që të punojnë së bashku për të siguruar një qasje të bashkuar të Kosovës ndaj Dialogut dhe kthim të shpejtë në tryezën e bisedimeve”, thuhet në njoftim.

Pas takimit, ministrja Morton tha: “Mbretëria e Bashkuar është krenare për partneritetin e saj të gjatë me Kosovën dhe ne mbetemi të përkushtuar në promovimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Mbështetja e zhvillimit të Kosovës dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës janë vendimtare për stabilitetin në rajon dhe për stabilitetin evropian. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme ta mbështesë si Kosovën ashtu edhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes në të mirë të dy vendeve.”

Vizita e Ministres në Kosovë vjen pas takimit joformal në Shkup, në Maqedoni të Veriut, të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, ku ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerët e Procesit të Berlinit u takuan për të diskutuar sigurinë në të ardhmen dhe ndërtimin e stabilitetit në rajon.