SHPËRNDAJE

Kryetari i komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturës, Rini dhe Sport nga Kosova, Nait Hasani ka qëndruar në Preshevë ku është takuar me kryetarin e Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa.

“Së bashku kemi konstatuar se duhet të vazhdoj reciprociteti, që ajo që sigurohet për serbët e veriut të Kosovës, e njejta duhet të sigurohet edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ne kemi prezantuar të gjitha vështirësitë ndërsa ata duhet ti paraqesin tek ministria e Arsimit. Kemi kërkuar që për problemet tona të bisedohet edhe në Bruksel” ka thënë Ragmi Mustafa, pas takimit me Nait Hasanin, transmeton presheva.com.

NaitAsani-RagmiMustafa

Mustafa ka thënë se Ministria e arsimit të Serbisë deri tani nuk ka arritur të zgjidh problemin e mungesës së teksteve shkollore në gjuhën shqipe dhe se ka shumë tekste mësimore që mungojnë apo janë të përkthyer në mënyrë joadekuate.

“Po thuaj se asnjë tekst shkollor nuk i plotëson standardet ndërsa ata që janë përkthyer nuk mund të gjenden në treg. Për ne nuk ka rëndësi se prej nga vijnë tekstet, nga Prishtina, Tirana apo Beogradi, por deri tani ministria e arsimit në Beograd këtë problem nuk ka arritur ta zgjidhë, që të siguroj tekste mësimore në gjuhën shqipe, andaj edhe po i drejtohemi institucioneve tjera” ka thënë Mustafa.

NaitAsani-RagmiMustafa-02

Kryetari Mustafa ka cekur edhe problemin e nostrifikimit të diplomave, që studentët pas vitit 2008 kanë marrë në Universitetin e Prishtinës. /presheva.com/