SHPËRNDAJE

“Gropa e kaltër” e thellë 120 metra, rreth 8 kilometra larg qytetit egjiptian Dahab ndryshe quhet si “varri i zhytësve”, pasi që qindra prej tyre kanë humbur jetën aty.

Megjithatë, kjo nuk po i frikëson zhytësit e shumtë që çdo vit të futen në thellësi edhe pse saktësisht nuk dihet se sa jetë njerëzish ka marrë kjo gropë.

Zhytësit në Dahab thonë se të paktën 200 viktima janë regjistruar në 10 vitet e fundit, kurse Tarek Omar, 55-vjeç, zhytës nga Dahabi, ka filluar ta studion Gropën e Kaltër që nga viti 1992, dhe thotë se është i habitur me rrëfimet për “mallkimin e saj”.

Ai ishte bërë i famshëm kur në vitin 1997 nxori nga gropa trupat e dy zhytësve irlandezë, Connor O’Reagan dhe Martin Gara. Disa vite më vonë kishte nxjerrë edhe 20 trupa tjerë të pajetë, dhe fal kësaj aftësie ka fituar epitetin e “mbledhësit të eshtrave”.

Në 56 metra thellësi muri i gropës thjesht zhduket, ku më pas shfaqet një tunel i gjatë 26 metra që qon në thellësi të papara.

“Është bukur, duket sikur qëndroni në një katedrale nënujore. Por, problemi qëndron te fakti se zhytësit zhyten në disa zona dhe mendojnë se i dinë të gjitha, por realisht nuk janë të përgatitur për një thellësi të tillë në veçanti në ato kushte”, ka deklaruar instruktori i zhytjes Alex Hayes.

Sipas tij, sa herë që zhytësi futet më thellë, rritet presioni në organizmin e tij e një narkozë e tillë quhet “efekti martini”.

Por pavarësisht paralajmërimeve dhe mbishkrimeve të vendosura nga ana e autoriteteve, zhytësit vrapojnë për te Gropa e Kaltër. E rasti më i njohur kishte ndodhur në vitin 2000, kur u zhduk instruktori i zhytjes Juri Lipski. Ai kishte vendosur i vetëm të zhytet dhe kështu kishte mbërritur deri në fund të saj, por aty kishte filluar të ndihet i çorientuar. E kur e kuptoi se nuk po mund më të vazhdojë rrugëtimin, kishte hequr maskën me oksigjen dhe thjesht ishte zhdukur. Më vonë ishte zbuluar se ai më vete kishte pasur kamerë që kishte filmuar tragjedinë.

Megjithatë deri më sot këto vdekje misterioze nuk janë zgjedhur dhe për këtë arsye shumë pyesin nëse fshihet ndonjë sekret, apo fuqi mbinatyrore që dalin nga thellësia e Tokës.