SHPËRNDAJE

Kryetari i LPD-së Shqiprim Musliu në intervistën dhënë presheva.com ndër të tjerash ka thënë se, LPD e meriton që të udhëheqë me pushtetin lokal dhe është subjekti i vetëm që mund të unifikojë shiptarët.

Musliu duke folur për bllokadat e njëpasnjëshme që kanë kapluar pushtetin lokal ka thënë:

“Bllokadat financiare që e kanë shoqëruar vazhdimisht komunën e Bujanocit gjatë këtyre ditëve e viteve, realisht nuk i ka bërë mirë menaxhimit të komunës. Një përpjekje dhe një përgjegjësi më e madhe në këtë drejtim mendoj se do të ishte tjetër situate”

Presheva.com: Z.Musliu si e vlerësoni situatën në të cilën gjendemi aktualisht, sa ka ndikuar gjendja e jashtëzakonshme në zhvillimin në përgjithësi në Komunën e Bujanocit?

Musliu: Pandemia Covid-19 me të cilën po ballafaqohemi jo vetëm ne, por e tërë bota, i ka sjellë anët pozitive po edhe negative në aspektin shoqëror, ekonomik e politik.

Realisht, gjendja e jashtëzakonshme i ka ngadalësuar shumë procese të cilat ishin duke rrjedhë në vendin tonë.

Por ne jemi duke u përballë me aktualitetin dhe do të përballemi deri sa të kalojë kjo gjendje e t`i kthehemi normalitetit.

Mendoj se Komuna e Bujanocit me gjithë kapacitetin dhe mekanizmat që ka në dispozicion e ka kapur qysh në fillim menaxhimin e duhur për masat me të cilat janë sugjeru nga organet kompetente.

Ne si LPD dhe si bashkëqeverisës të komunës kemi dhënë opinionet tona, sugjerimet tona e ndihmën tonë në ato vende e momente ku kemi mund të japim.

Sigurisht në këtë aspekt vlenë të theksohen edhe ndihmat solidare nga dy organizata shqiptare që i dolën në ndihmë popullit shqiptar të Luginës si nga “Jetimat e Ballkanit” të shqiptarit të madh z.Halil Kastratit si dhe Fondacionit “Firdeus” të z.Elvis Naçit.

Për tu përshëndetur është edhe mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës me kryeministrin në detyrë z.Albin Kurti që këto ditë ndajti një fond të konsolidueshëm për komunat shqiptare të Luginës me qëllim menaxhimin e situatës së pandemisë.

Në këtë formë situata në përgjithësi është nën kontroll, organet kompetente i kanë dhënë këshillat në vazhdimësi dhe qytetarët i kanë zbatu masat e dhëna nga shtabet e krizave e institucionet kompetente.

Presheva.com: Shum shpejt pritet normalizimi i situatës dhe padyshim edhe mbajtja e zgjedhjeve. A ka luhatje të elektoratit apo qëndrimit të qytetarëve?

Musliu: Ne si LPD ishim pothuajse në përfundim të të gjitha procedurave paraelektorale për të hyrë në zgjedhjet e 26 prillit.

Por për fatin e keq nëse mund të them, realiteti është ky që është dhe në këto momente jemi në shërbim të së mirës së përgjithshme për qytetarët dhe ruajtjen e shëndetit të tyre.

Parandalimi është gjysma e mjekimit, prandaj edhe fokusi jonë është ky, që të prandalojmë këtë fatkeqësi që e ka kapluar gjithë globin.

Në rast të stabilizimit të situatës, që kemi shumë shpresë që do të ndodhë këto javët e ardhshme, ne jemi gati të vazhdojmë aty ku e kemi lënë.

Presheva.com: Pushteti lokal pjesë e të cilit jeni edhe ju është gjendur shpesh në bllokada financiare, si e kome toni një gjendje të tillë?

Musliu: Bllokadat financiare që e kanë shoqëruar vazhdimisht komunën e Bujanocit gjatë këtyre ditëve e viteve, realisht nuk i ka bërë mirë menaxhimit të komunës. Një përpjekje dhe një përgjegjësi më e madhe në këtë drejtim mendoj se do të ishte tjetër situatë.

Presheva.com: LPD do të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, cilat janë më të rëndësishme për ju, apo më mirë thënë cilave zgjedhje do të iu perkushtoheni?

Musliu: Ne si LPD me të gjithë organet e subjektit tonë politik jemi të vendosur që të përballemi me realitetin dhe të vazhdojmë betejat tona politike në të gjithë ato vende e instituticone ku mund të ndikojmë për avancimin e qëllimeve tona kombëtare shqiptare.

Si zgjedhjet lokale por edhe paralamentare e kanë rëndësinë e vet, sepse mendojmë se të dy pushtetet janë të rëndësishme për avancimin e komunitetit shqiptar në vend.

Sigurisht, se qeverisjet lokale e kanë rëndësinë e tyre për shkak të kontaktit direkt me qytetarin, shërbimet për qytetarin por të qenit pjesë e paralamentit është e një rëndësie tjetër për arritjen e të drejtave tona të plota kombëtare.

LPD-ja është forca politike që ka lind nga betejat e luftës së UÇPMB-së, në betejat politike për arritjen e synimeve madhore për të drejtat kombëtare.

Prandaj, për zgjedhjet lokale do të paraqesim para qytetarëve ofertën tonë me një program elektoral ku do të përfshihen të gjitha sferat me të cilat ballafaqohet qytetari i komunës sonë dhe mendoj se është ndër programet më të mira për të menaxhu një komunë si Bujanoci.

Ndërsa për zgjedhjet parlamentare do të jemi në kordinim me subjektet tjera të koalicionit Lugina e Bashkuar ku përpjekja jonë e vetme dhe interesi i jonë është avancimi i të drejtave tona si qytetar shqiptar në Serbi, dhe përfshirja e shqiptarëve në institucione të rëndësishme të nivelit qendror.

Për fatin e mirë të kësaj përpjekje e kemi edhe mbështetjen direkte të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e pikërishtë Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Europës z.Gent Cakajt.

Presheva.com: Z. Musliu çka duhet ndryshuar rrënjësisht ne komunen e Bujanocit?

Musliu: Në të kaluarën Bujanoci ka qenë një komunë mirë e zhvilluar me disa fabrika prodhuese, banjën e Bujanocit e shumë fusha të tjera të cilat e kanë ngritë dhe avancu komunën.

Ne do të fokusohemi në një reformim të thellë të administratës komunale dhe një menaxhim efikas për shërbime më të mira e të lehta për qytetarët e në të njëjtën kohë do të bëjmë përpjekje e do të punojmë për zhvillimin e pasurive me të cilat komuna do të mund t`i menaxhojë dhe avancojë, e në këtë mënyrë do të rrisim mundësitë e punësimit të qytetarëve por edhe zhvillimin e bizneseve lokale.

Presheva.com: Meqë jeni pjesë e pushtetit a mund ta konstatoni se, sikurse për të arriturat po ashtu edhe për ngecjet jeni bashkë përgjegjës me partnerët e koalicionit qeverisës?

Musliu: LPD-ja si pjesë e koalicionit të pushtetit lokal mund të themi se ka bashkëqeverisur vetëm me partitë shqiptare të cilat kanë qenë bartëse të pushtetit lokal dhe marrëveshje për koalicion ka patur vetëm me partitë shqiptare.

Ky është fakt. Dhe nëse kthehemi në retrospektivë LPD-në e shohim si subjektin më unifikues të shqiptarëve për të udhëhequr pushtetin lokal.

LPD-ja ka udhëhequr disa institucione me rëndësi të veçantë, si Kuvendin e Komunës, Qendrën për Punë Sociale, Shtëpinë e Kulturës, Agjencinë e Turizmit, Sallën e Sportit etj.

Të gjitha këto institucione nën udhëheqjen e LPD-së dëshmojnë se janë menaxhuar pakorrupsion dhe me efikasitet. Koha dhe fakti është dëshmitar i kësaj.

Presheva.com: Tashmë nuk është vonë të thuhet, ku e shihni LPD pas këtyre zgjedhjeve?

Musliu: LPD-ja synim të saj ka të jetë fituese e zgjedhjeve të ardhshme të Komunës së Bujanocit.

Qytetari është ai që vendos për të ardhmen tonë të përbashkët nëpërmjet zgjedhjeve të lira e demokratike. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që mandatin e ardhshëm qeverisës të gjitha institucionet në vend të udhëheqen nga shqiptarët.

LPD-ja ashtu siç ka qenë në të kaluarën, do të jetë edhe në të ardhmen, vetëm unifikuese e faktorit shqiptar. Ky është vullneti dhe qëndrimi jonë politik i ndërtuar dhe zhvilluar në vazhdimësi.

Presheva.com: Porosia juaj për qytetarët e komunës së Bujanocit?

Musliu: Këto dy muaj të gjithë kemi qenë të sulmuar nga një presion psikologjik e me të cilin jemi përballur për të ruajtur shëndetin tonë e të familjeve tona.

Shpresojmë se shumë shpejtë do të kalojë kjo gjendje dhe qytetarët do të vazhdojnë ti kthehen jetës normale. Sigurisht, se së bashku kemi kaluar shumë sfida më të mëdha por edhe na presin shumë sfida të mëdha.

Nuk dihet ende fati jonë politik se si do të definohet marrëveshja finale në mes Kosovës dhe Serbisë, por sido që të jetë ajo, ne do të përballemi me realitetin dhe do të luftojmë vazhdimisht për vullnetin tonë, për të drejtat tona, për jetën tonë./presheva.com/