SHPËRNDAJE

“Ndihem e tmerruar kur e çoj ndër mend që unë kam një fëmijë të preferuar! Unë i dua të dy në mënyrë të barabartë, natyrisht, por thjesht më pëlqen të kaloj kohë me të madhin më shumë se me fëmijën e vogël! A jam një person i tmerrshëm?”

Përkundër faktit që prindërit nuk e pranojnë apo nuk e thonë me zë të lartë, psikologët pohojnë se shumica e prindërve e kanë një fëmijë të preferuar e për më tepër është normale.

Në një studim të botuar në Journal of Marriage and Family, 75 për qind e nënave dhe 70% e baballarëve pranuan se kishin një fëmijë të preferuar .

Sigurisht, rregulli i pashprehur është të trajtoni të gjithë fëmijët tuaj njësoj, megjithatë, prindërit mund ta gjejnë veten duke favorizuar një fëmijë për disa arsye. Rendi i lindjes zakonisht zbulohet se është një arsye e rëndësishme që fëmijët më të mëdhenj ose më të vegjël të gëzojnë simpatinë e njëri prind.

Gjinia dhe fazat e zhvillimit janë gjithashtu faktorë të zakonshëm (është e lehtë të ‘preferoni’ 6- vjeçaren tuaj të ëmbël nga adoleshenti juaj).

Faktorë të tjerë që kontribuojnë që prindërit të kenë një fëmijë të preferuar lidhen me personalitetin, përvojat dhe marrëdhëniet e prindërve. Fëmijët tanë pasqyrojnë pjesë të personalitetit tonë.

Nuk është për t’u habitur që prindërit të preferojnë të kalojnë kohën me një fëmijë i cili i bën ata të ndjehen më të suksesshëm si prind. Fuqia e lidhjeve të forta familjare mund të jetë gjithashtu një faktor i rëndësishëm.

Ashtu si familjet janë komplekse dhe vazhdimisht ndryshojnë dhe evoluojnë, e njëjta gjë mund të thuhet për të paturin e një fëmije të preferuar, këshillon Living.

Fëmija i preferuar i një prindi mund të ndryshojë. Disa prindër madje mund ta rrotullojnë “zgjedhjen” e tyre për fëmijën e preferuar, për t’iu përshtatur nevojave të familjes dhe të nxisin një konkurrencë të shëndetshme, normale. (Nuk ka asgjë të keqe të mësosh fëmijët se miratimi i prindërve bazohet në sjellje të mirë … për sa kohë që bëhet me mend.) Favorizimi ekziston në një farë mase në çdo familje dhe është normale.

Por duhet patur kujdes! Perceptimi (ose realiteti) i favorizimit të prindërve që përjetohet nga motrat dhe vëllezërit e tjerë mund të ketë pasoja serioze dhe negative brenda familjes, duke përfshirë rivalitetin, konflikte familjare, vetëbesim të ulët, abuzim dhe rritje të niveleve të depresionit dhe ankthit.

Nëse perceptimi i favorizimit është duke sjellë pasoja negative në familjen tuaj, është koha të kërkoni ndihmë profesionale.

Por të kesh një fëmijë të preferuar nuk duhet të jetë diçka e keqe. Në fakt, njohja se keni një të preferuar mund t’ju ndihmojë të keni një marrëdhënie më të mirë me të gjithë fëmijët tuaj.