SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër sekretarit të shtetit, Mike Pompeo.

Në letrën e tij drejtuar Pompeos, Kurti ka thënë se qeveria e tij është e vendosur në luftën e pa komrpomis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Poashtu Kurti e informon sekretarin Pompeo, se janë të vendosur për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes procesit të dialogut, i cili do të përfundojë me njohje të ndërsjellë në mes të dy shteteve.

“Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme drejt integrimit të plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si dhe arritjen e marrëveshjes historike, e cila do të krijonte paqe të qëndrueshme në Ballkan”, shkruan Kurti në letrën e tij drejtuar Pompeos.

Kryeministri e njofton sekretarin Pomepo edhe për largimin e tarifës 100% ndaj Serbisë, duke i kërkuar që SHBA-të dhe BE-ja të krijojnë një mekanizëm monitorimi dhe sanksionimi për t’u siguruar që të dyja palët t’i përmbahen premtimeve të bëra në marrëveshjet e tashme dhe të ardhme në mes të dy palëve.

“Ne presim me ndjeshmëri të lartë thellimin e partneritetit dhe punës së përbashkët me Shtetet e Bashkuara në shtimin e mundësive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e sigurisë rajonale, shtyrjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe në çështjet e tjera”, shkruan Kurti.