SHPËRNDAJE

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyhahu të mërkurën paralajmëroi se vendi i tij do të godiste ashpër këdo që e sulmon vendin e tij.

Ai, sipas mediave të huaja,  një deklaratë të tillë e ka bërë pasi përsëriti mbështetjen e tij për vrasjen amerikane të komandantit ushtarak iranian Qassem Soleimani javën e kaluar.

“Kushdo që përpiqet të na sulmojë do të ballafaqohet me goditjen më të fortë”, citohet të ketë thënë Netanyahu në Jerusalem.

Ai tha se Izraeli “qëndron plotësisht” përkrah vendimit të presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se Trump duhet të urohet për veprimin “me shpejtësi, guxim dhe vendosmëri”.

Reagimi i kryeministrit izraelit vjen pas raportimeve se një numër i raketave qëlluan bazat ushtarake amerikane në Irak.

Një lajm i tillë është konfirmuar edhe nga Pentagoni që ka thënë se Irani ka lansuar raketa në drejtim të forcave ushtarake dhe të koalicionit amerikan në Irak.

Ndërkohë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë marrë përgjegjësinë për sulmin.

Kujtojmë se rritja e shqetësimit për përshkallëzim të situatës në rajon ka ardhur pasi presidenti amerikan, Donald Trump autorizoi një sulm ndaj Qassem Soleimani.

Soleimani, arkitekti i operacioneve klandestine dhe ushtarake të Teheranit, si shef i forcave të Qudsit të Gardës Revolucionare, u vra të premten në një sulm me dronë amerikanë derisa gjendej në një kolonë në aeroportin e Bagdadit.

Si përgjigje, autoritetet iraniane thuhet se kanë bërë të ditur se do të ofrojnë një shpërblim prej 80 milionë dollarësh për kokën e presidentit amerikan Donald Trump, pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani.

Sipas mediave, një “ofertë e tillë” është bërë gjatë transmetimit televiziv të funeralit nga transmetuesit zyrtarë shtetërorë.

Veç kësaj, Irani ka bërë të ditur se nuk do të respektojë me asnjë kufizim të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, njoftoi të dielën televizioni shtetëror i vendit.

Gjithashtu, vrasja e gjeneralit iranian ka ndikuar që një vendim të merret edhe nga Parlamenti i Irakut, i cili ka nxjerrë një rezolutë me të cilën kërkohet largimi i trupave amerikane nga vendi.