SHPËRNDAJE

Neuer

Manuel Neuer bën auokritikë pas humbjes befasuese të Bayernit me Borussian e Moenshengladbahut në “Allianz Arena”.

Portieri i bavarezëve ishte autor i një gafe të rëndë në rastin e golit të parë të shënuar nga Rafael, episod që ndikoi në vazhdimësinë e sfidës.

Të besuarit e Pep Guardiolës pësuan humbjen e dytë në Bundesligë gjatë 2015, por që nuk e cënon objektivin titull, pasi Bayerni është i shkëputur me 10 pikë nga Wolfsburgu i vendit të dytë.

“Ishte goditja e parë drejt portës e Gladbahut dhe unë besova se do ta kontrolloja topin. Në fakt duhet të luaja më thjeshtë, ta largoja topin duke mos rrezikuar”, ka theksuar Neuer. Por nuk ishte vetëm ky moment ku çaluan kampionët e Bundesligës ndaj Gladbahut. Sipas Neuer, Bayerni bëri shumë pak për ta fituar sfidën.

“Nuk krijuam ndonjë rast të pastër, pra nuk bëmë një paraqitje të mirë, për të marrë një rezultat tjetër. Kundërshtari ynë ishte i shkëlqyer dhe u mbrojt shumë mirë. Gjithsesi nuk duhet ta dramatizojmë këtë humbje, sepse ne jemi në garë për të fituar gjithçka në këtë sezon. Duhet të shohim përpara dhe të jemi optimistë”, ka shtuar Neuer.

Pavarësisht formës së dobët të shfaqur nda Gladbahut, Neuer mbetet një nga pikat më të forta të skuadrës së Pep Guardiolës, teksa në këtë sezon nuk ka pësuar gol në 16 ndeshje të Bundesligës.