SHPËRNDAJE

Nisma e Shoqërisë Civile për të krijuar një listë të përbashkët për pushtet lokal, e bërë publike nga koordinatori i saj Nexhmedin Saqipi, si duket ka hasur në veshë të shurdhër nga subjektet politike shqiptare në Komunën e Bujanocit.

Asnjëra nga pesë partitë politike shqiptare, nuk është interesuar fare për t’i bashkuar kësaj nisme qytetare, rreth krijimit të një Liste unike, në zgjedhjet për pushtet lokal në Komunën e Bujanocit.

Shoqëria Civile është e shqetësuar me sjelljet e krerëve politikë të Bujanocit, të cilit duke garuar me pesë Lista zgjedhore e kanë ndarë, grupizuar, parcializuar dhe përçarë deri në ekstremitet elektoratin shqiptar, i cili është i hutuar, madje i shqetësuar për fatin e këtyre zgjedhjeve, të cilat për dallim nga ato të mëparshmet janë më të zorshme dhe më sikletshme.

Në mandatet e mëparshme partitë shqiptare në zgjedhjet lokale dilnin me 2-3 lista, duke mos lejuar që votat e qytetarëve shqiptarë, mos të shkojnë te partitë e pushtetit qendror, me fitore bindëse deri në 30 këshilltarë komunalë. Kurse tani me krijimin e shumë Listave, forca elektorale shqiptare mund të dobësohet e të zvogëlohet dukshëm.

Duke e parë si rrezik shpërndarjen e votave, krijimin e përçarjeve ndërpartiake, mosunitetin rreth formimit të koalicioneve qeverisëse pas zgjedhjeve, Shoqëria Civile, mori si nismë iniciativën për krijimin e një Liste të përbashkët, që do të mirëpritej nga elektorati shqiptar i Komunës së Bujanocit, i cili në çdo zgjedhje ka treguar një maturi politike dhe një kulturë zgjedhore.

Lidhur me këtë heshtje partiake, Koordinatori i Shoqërisë Civile, Nexhmedin Saqipi, nuk la pa përsëritur se nismat e tilla nuk kanë munguar kurrë, por kjo e fundit ka një kuptim më të madh, ngase rrethanat e reja të krijuar nga pandemia e virusit Korona dhe problemeve të tjera të natyrës politike dhe ekonomike, atmosfera e këtyre zgjedhjeve nuk do të ofroj komoditet për ata që garojnë për pushtet. Ditëve në vijim, do të shikohen mundësitë për një informim më të detajizuar rreth kësaj nisme, duke marrë edhe hapa të tjerë rreth bindjes së Listave të shumta zgjedhore, se pa unitet lokal, nuk mund të arrihet uniteti rajonal, njofton Jetapress.