SHPËRNDAJE

U bë një vit që kur Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi demarkacionin me Malin e Zi. Por edhe pse në atë kohë, liderët e vendit dhe jo vetëm deklaruan se ky miratim do të sigurojë lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë, sot, edhe një vit më pas, ende nuk ka ndonjë zhvillim pozitiv rreth liberalizimit të vizave.

Njohësit e rrethanave politike në vend në një prononcim për Telegrafin kanë vlerësuar se deklaratat e tilla janë bërë vetëm si “premtime elektorale” duke humbur kështu besimin e qytetarëve.

Analisti Ramush Tahiri, thotë se qytetarët e  vendit nuk duhet t’iu besojnë udhëheqjes së vet pasi liberalizimi i vizave nuk është në duart e tyre.

Ai theksoi se liderët e vendit janë të “pafytyrë”, që bëjnë premtime të tilla dhe vishen me “puplat e krenarisë”.

“Qytetarët e Kosovës, nuk duhet t’i besojnë udhëheqësisë së vet, pasi është komplet e pandershme sepse liberalizimi nuk është në duart e tyre. Premtimet e tyre janë për çdo kritikë”, ka thënë Tahiri.

Edhe, Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha se liderët nuk duhet të deklaroheshin për afatet kohorë të liberalizimit të vizave, pasi kanë humbur kredibilitetin dhe besimin e qytetarëve.

“Gjëja më e mirë që liderët mund të bënin është që të mos deklaroheshin për afatet kohore për data, për arsye se mendoj se ata e kanë humbur kredibilitetin dhe besimin e qytetarëve – dhe fjala e tyre më së paku sot besohet në këtë proces. Realisht qytetarët janë të zhgënjyer nga kjo pritje si e drejtë fundamentale siç është liberalizimi i vizave. Në aspektin procedural kanë mbetur dhe gjashtë hapa deri sa Kosovës t’i mundësohet lëvizja e lirë”, vlerësoi Kryeziu.

Mirëpo, Tahiri fajin për mos dhënien e liberalizimit të vizave qytetarëve të Kosovës ia vë edhe Bashkimit Evropian (BE) dhe politikave të saj.

“Kosova nuk e ka marr liberalizimin e vizave për qytetarët e saj edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret. Kosova ka kryer kushte më shumë se krejt vendet e tjera dhe pa të drejtë është duke u vonuar në liberalizimin e vizave, jo për fajin e  kosovarëve apo të udhëheqësisë së kosovarëve. Fajin ekskluziv për liberalizim është i BE-së dhe politikave të saj. Pajtohem me atë që thotë Edi Rama që ky është turpi i Evropës dhe jo i Kosovës”, theksoi ai.

Ndërsa, Kryeziu potencoi se klasa politike e ka humbur momentumin për liberalizimin e vizave, në vitin 2016.

“Mendoj që klasa politike e ka humbur momentumin në vitin 2016 për liberalizimin e vizave në kohën kur Gjeorgjia dhe Ukraina kanë përfituar nga ky proces, dhe ajo ka qenë koha kur nuk ka pas konsensus të duhur për kalimin  e marrëveshjes së demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Realisht ai dy vjeçar e ka bllokuar komplet procesin dhe para kriterit të dytë ku ne vetëm kemi shënuar regres…”.

Ndryshe, sot bëhet një vit që kur Kuvendi i Kosovës miratoi demarkacionin me Malin e Zi. Pasditen e 21 marsit 2018, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Marrëveshjen e Demarkacionit pas katër herë ndërprerjesh për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Procesi i miratimit të demarkacionit zgjati tri vite dhe u parapri nga një debat i madh, protesta dhe reagime të shumta nga qytetarë, politikanë dhe ndërkombëtarë.