SHPËRNDAJE

Përfaqësuesja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, Nysrete Kumanova ka thënë se edhe pas 20 vitesh nga përfundimi i luftës, ende kanë mbetur në pritje të trupave të familjarëve të tyre.

Ajo ka kërkuar nga Presidenti Thaçi që të mos e zgjatë dorën e pajtimit para se të kthehen trupat e shqiptarëve nga Serbia dhe të gjykohen kriminelët, transmeton Indeksonline.

“Edhe pse kaluan 20 vite nga përfundimi i luftës, ne ende kemi mbetur në pritje të trupave të më të dashurve tonë, të cilët figurojnë në lista të pagjeturve, në fakt janë rrëmbyer, vrarë dhe dërguar në Serbi në mënyrë që të mbahen peng edhe pse në varreza të Serbisë, në mesin e të cilëve biri im Albioni!

Duke rikujtuar të gjitha pengjet e luftës i bëj thirrje presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaqi, që të mos e zgjat dorën e pajtimit para se të kthehen trupat e shqiptarëve nga Serbia, të gjykohen dhe dënohen kriminelët! Ne jemi dërmuar nga pritja e gjatë dhe është koha e fundit kur duhet të veprojmë si shtet, mbase ua kemi borxh të gjithë atyre që u sakrifikuan për liri”, ka shkruar Kumanova në facebook.