SHPËRNDAJE

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Pejë ka folur rreth dallimeve të dy partnerëve të koalicionit qeverisës lidhur me taksën ndaj Serbisë.

Osmani tha se këto çështje do t’i diskutojnë sot gjatë ditës me kryeministrin Albin Kurti dhe sipas saj është me rëndësi që partnerët e koalicionit të ulen të diskutojnë detajet dhe t’i marrin vendimet e përbashkëta.

Kryeparlementarja tha se do të deklarohen rreth këtyre çështjeve në momentin që njoftohen zyrtarisht me këto vendime.

“Shoh bashkëpunim shumë të mirë nga ana e partnerëve të koalicionit. Po ashtu shoh që dy partnerët kanë qëllime të përbashkëta, mbrojtjen e interesave të vendit dhe mbrojtjen e partneritetit me SHBA-të dhe BE-në, që është ekzistenciale për ecjen tonë përpara”, u shpreh Osmani.

Ajo shprehu bindjen se çdo dallim që mund të jetë mes partnerëve të koalicionit, qoftë teknike apo e modaliteteve rreth asaj se si mund të ruhen edhe interesat e vendit edhe partneriteti me miqtë do të zgjidhet shumë shpejt.

“Edhe takimet që do t’i kemi sot gjatë ditës do të jenë në funksion të arritjes së këtij dakordimi të përbashkët”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës.