SHPËRNDAJE

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka kujtuar 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, derisa, ka thënë se shqiptarët sot kanë dy shtete që lëngojnë, e se projektet shtetërore të rrezikuara i riaktualizojnë kërkesat e Lidhjes për shtetin dhe kombin, raporton Gazeta Express.

“Kërkesat e Lidhjes riaktualizojnë nevojën për kohezion shoqëror dhe unitet kundrejt zhvillimeve me të cilat përballet shteti i Kosovës. Në një kohë kur rreziku i copëtimit të territorit është evident, vetëm qëndrimi unik e bën Kosovën të pacenueshme. Ndaj, na duhet një Lidhje e re për shtetin e Kosovës, në mënyrë që nesër ky vend të jetë strehë e sigurt ku jetojnë dinjitetshëm të gjithë qytetarët pa dallim”, ka shkruar Osmani, derisa, ka përmendur edhe urdhrin për ndaljen e bombardimeve.

“21 vjet më parë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javijer Solana, urdhëroi ndaljen e bombardimive mbi caqet e ushtrisë jugosllave e policisë serbe pas kapitullimit të Millosheviqit, kurse Këshilli i Sigurimit i OKB-së, po në të njëjtën ditë, miratoi dërgimin e ushtarëve të KFOR-it nga 36 shtete. Sot Kosova është e lirë falë ndihmës së shteteve që i qëndruan në krah dhe sakrificës së popullit të saj. Një pjesë e këtyre ushtarëve të NATO-s sot ende janë garant i sigurisë për vendin tonë. Falënderojmë pafundësisht secilin prej tyre për kontributin që vendi ynë të jetë i lirë”, tha ajo.

“21 vjet më pas ëndrra për lirinë ka marrë kuptim, por ëndrra për shtetin ku sundon e drejta vazhdon. Ndaj sot, nevoja për forcimin e shtetit nëpërmjet rendit e ligjit është domosdoshmëri! Liria është koncept universal, teksa nevoja për Lidhjen për shtetin urgjencë kombëtare”, ka shkruar Osmani.