SHPËRNDAJE

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me dhimbje të madhe ka mësuar lajmin se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha.

Osmani ka theksuar se këngëtarja Pagarusha me zërin e saj kumbues ka kultivuar muzikën e mirëfilltë shqipe.

“Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj. Nga ‘Baresha’ e deri te ‘Zambaku i Prizrenit’, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë’, ka pohuar Osmani.

Kryeparlamentarja ka shkruar se kanë rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat  e bilbilit të Kosovës.

“Ndarja nga jeta nuk na ndan nga këngët e saj e nga trashëgimia e pasur artistike që na e la”, vijon shkrimi i saj në Facebook.

Këngëtarja Nexhmije Pagarusha, ka ndërruar jetë pas një sëmundje të rëndë. Ajo vdiq në moshën 86-vjeçare.