SHPËRNDAJE

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se ka pritur në një takim homologun e tij malazez, Srdjan Darmanoviq, në kryesim të delegacionit shtetëror nga Mali i Zi.

Siç ka bërë të ditur Pacolli, ata kanë diskutuar agjendën e ngjeshur të çështjeve me interes reciprok dhe për rajonin, sikurse janë bashkëpunimi ekonomik, përkrahja në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, çështje të bashkëpunimit diplomatik në rrafshin ndërkombëtar, dhe atë të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Jemi dy vende që dimë si t’i qasemi bashkëpunimit dhe jemi në avantazh, sepse nuk kemi asnjë çështje të hapur”, ka thënë Pacolli.

Ai po ashtu ka shtuar se ndjehet i inkurajuar me qëndrimin e homologut malazez, i cili sipas tij, sugjeron që përmbyllja e dialogut me Serbinë duhet të përfundojë me njohje.

“Ky është edhe qëndrimi përfundimtar i Kosovës. Pothuaj secili shtet në rajon sugjeron të njëjtin epilog, prandaj besojmë që Serbia do ta kuptojë që e ardhmja e saj pa njohje të Kosovës, është e ardhme e errët dhe pa perspektivë evropiane dhe ndërkombëtare. Serbia nuk duhet të pengojë shtetet në fqinjësi të ndjekin kursin perëndimor, prandaj e ritheksova edhe në këtë konferencë për media, se Serbia dhe BeH duhet ta korrigjojnë kompasin e prishur politik!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.