SHPËRNDAJE

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj skenarit të Serbisë për “katastrofën humanitare në veri”.

Pacolli përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999, kur forcat serbe u larguan nga Kosova dhe nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë.

Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të monitorojnë këtë përpjekje nga Serbia për të destabilizuar Kosovën dhe ta dënojnë atë.

“Qeveria serbe, mediat e kontrolluara në Serbi dhe politikanët kukulla të Beogradit në veri kanë filluar një fushatë lajmesh të rreme për të krijuar histeri kinse që ekziston një krizë humanitare në veri. Playbacku i Millosheviçit tani i dirigjuar, është i njohur për Kosovën.

Ne do të kundërshtojmë këtë propagandë që ka për qëllim krijimin e tensioneve dhe incidenteve në Kosovën veriore. Nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999 kur forcat serbe u larguan nga Kosova dhe nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë. Kosova do të kujdeset për të gjithë qytetarët e saj.

Në Kosovën veriore ka mjaft produkte dhe medikamente.

Unë i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të monitorojnë këtë përpjekje nga Serbia për të destabilizuar Kosovën dhe ta dënojnë atë”, ka shkruar në Facebook, Pacolli.

Ndryshe edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka folur për skenarin e Serbisë rreth një “katastrofe humanitare” në veri të vendit.

“Kemi prova edhe të këtij skenari, njerëz të involvuar. Nuk do të lejojmë që të mungojë asnjë produkt sepse ata janë qytetarë të Kosovës do ti dekonspirojmë këto veprime të tilla që janë të çuditshme”, ka thënë Haradinaj.