SHPËRNDAJE

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit Lekaj për ambasadorin e Zvicrës.

Pacolli në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se ambasadorit Jean-Hebert Lebet, i ka shprehur mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe popullit të Kosovës, për kontributin e tij dhe shtetit që përfaqëson.

Ai ka thënë se miqtë dhe aleatët kanë dhënë do të vazhdojmë të mësojmë nga një demokraci qindra vjeçare sikurse është Zvicra.

“Konfederata Helvetike, së bashku me SHBA, Gjermaninë, Francën, Britaninë, Italinë dhe vendet tjera perëndimore, ka mbështetur fuqishëm rrugëtimin e Republikës së Kosovës në të gjitha etapat. Kontributi i Zvicrës, ku kemi një diasporë të madhe me afërsisht 300 mijë qytetarë tanë, është i madh në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.

Ambasadorit Jean-Hebert Lebet, i shpreha mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe popullit të Kosovës, për kontributin e tij dhe shtetit që përfaqëson.

Miqtë dhe aleatët kanë dhënë dhe po japin kontribut të madh, për ardhmërinë e këtij vendi andaj të gjithë ne, duhet t’i dëgjojmë me shumë vëmendje këshillat dhe sugjerimet e tyre. Sa here kemi qenë bashkë me aleatët, kemi dalë fitimtar. Ne do të vazhdojmë bashkë dhe kemi çfarë të mësojmë nga një demokraci qindra vjeçare sikurse është Zvicra”, ka shkruar Pacolli.

Ndërsa sot publicisti, Veton Surroi, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ministri Pacolli duhet t’i kërkojë ndjesë ambasadorit zviceran, për deklaratat e ministrit Lekaj.