SHPËRNDAJE

Zgjedhjet lokale në komunën e Medvegjës do të mbahen të dielën më 8 shtatorë, ku përveç listave serbe në garë do të jenë edhe dy lista shqiptare të cilat do të garojnë për formimin e qeverisjes së re lokale.

Në këtë garë shqiptarët e Medvegjës po hyjnë me një listë të cunguar e cila disa mijëra shqiptarëve ua privon të drejtën për të votuar.

Kryetari i PVD-së Shaip Kamberi subjekt i cili mëse 17 vite udhëheq në koalicionin qeverisës me subjektet serbe, këto zgjedhje i ka konsideruar “zgjedhje për ekzistencë”, shpesh duke akuzuar edhe politiken serbe për pasivizim të adresave të banimit si dhe shlyerjen nga listat zgjedhore të një numëri të konsiderueshëm të shqiptarëve.

Nga ana tjetër as edhe njëherë Kamberi nuk është parë të ketë akuzuar subjektin e tij që përfaqëson në koalicionin qeverisës mëse 17 vite, për mungesë të angazhimit në parandalimin e kësaj dukurie negative që po çon shqiptarët në asimilim.

Shlyerja e shqiptarëve nga listat zgjedhore, sipas të parit të APN-së në Bujanoc Arbër Pajazitit nuk do të ngelë vetëm në Medvegjë, kjo dukuri shpejt do të bartet edhe në komunën e Bujanocit dhe kjo hiç më larg se në zgjedhjet lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm në komunën e Bujanocit.

Pajaziti në profilin e tij, ka postuar një shkrim ku ka thënë se, “Skenari i shtetit Serb, për shlyerjen e shqiptarëve nga lista e votimit, i zbatuar në Medvegjë, shumë shpejt do të vie në Bujanoc.

Mos thoni nesër nuk e kemi dit! P.S. ju që po thoni se jeni për unifikim, e që e pasni thirr APN-në për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje, duhet të jeni pak më korrekt me qytetarët dhe t’i tregoni, a po gënjeni ju, apo juve ju ka gënjyer partia?!” ka shkruar Pajaziti./presheva.com/