SHPËRNDAJE

Dimovski tha se për herë të parë në historinë e saj, Maqedonia e Veriut, qytetarët e saj të besimit katolik, por edhe të gjithë qytetarët në krye me presidentin dhe kryeministrin më 7 maj do të jenë nikoqirë të vizitës së Papa Françeskut.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Viktor Dimovski, dhe peshkopi i Shkupit në Kishën Katolike, Kiro Stojanov, në konferencën për media në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup, informuan për vizitën e Papa Françeskut në vend, e cila është paralajmëruar për 7 maj të këtij viti.

Dimovski tha se për herë të parë në historinë e saj, Republika e Maqedonisë së Veriut, qytetarët e saj të besimit katolik, por edhe të gjithë qytetarët në krye me presidentin Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev më 7 maj do të jenë nikoqirë të vizitës së Papa Françeskut dhe delegacionit të lartë nga Vatikani.

“Vizita e parë në Kishën Katolike të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkup, paraqet nder të madh dhe ka simbolikë të fuqishme. Realizohet në vitin kur shënojmë 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe paraqet konfirmim të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit të bazuar në lidhje të rëndësishme historike, vlera dhe tradita shpirtërore”, deklaroi Dimovski.

Më tej shtoi se “vizitën e Papës e shohim si një kontribut të drejtpërdrejt të avancimit të paqes rajonale dhe botërore dhe si mirënjohje për rolin që ka Republika e Maqedonisë së Veriut në këto procese”, theksoi Dimovski.

Sipas asaj që u paralajmërua, Papa Françesku dhe delegacioni nga Vatikani në aeroportin e Shkupit do të mbërrijnë më 7 maj në orët e hershme të mëngjesit, me ç’rast do të organizohet ceremoni përkatëse për mirëseardhje. Ceremonia zyrtare me nderimet më të larta shtetërore do të organizohet në pallatin presidencial në Vodno pas çka do të vijojë takimi me presidentin Gjorge Ivanov.

Më pas, Papa do të realizojë takim me kryeministrin Zaev, pas çka do të vijojë takimi me përfaqësuesit e kreut shtetëror, të shoqërisë civile dhe korit diplomatik në Maqedoninë e Veriut.

Axhenda e vizitës parasheh edhe vizitë të shtëpisë përkujtimore të Nënës Terezë në Shkup, ku do të ketë takim me liderët e bashkësive fetare si dhe takim me qytetarët e varfër.

Ngjarja qendrore, mesha e shenjtë me të cilën do të kryesojë Papa Françesku, do të mahet në sheshin e Shkupit.

Më pas, Papa do të ketë takime me klerin dhe familjet e tyre si dhe me personat e Kishës Katolike, pas çka vijon përcjellja zyrtare e delegacionit me ceremoni adekuate në aeroportin e Shkupit.

Për vizitën e Papës në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës, peshkopi Stojanov theksoi se në këtë vend parashihen dy takime të rëndësishme, me prijësit fetarë dhe të varfërit.

“Konsideroj se ky është një hap i madh për vetëdijësimin se Nënë Tereza është bashkëqytetarja jonë ndërsa vëllezërit dhe motrat tona të varfër pa mos i ndarë sipas përkatësisë fetare dhe etnike, por ashtu siç Nënë Tereza bëri kur udhëtoi nga ky vend në Indinë e largët dhe kujdesej për të gjithë nevojtarët”, tha ai.